FMN vlerëson Shqipërinë, Buxhuku: Ndërtimi dhe turizmi, dy kolonat e ekonomisë

Ekonomi | 1 vit më parë

Eksperti i ekonomisë, Gjergj Buxhuku, ka deklaruar në studion e “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1 se dy kolonat e ekonomisë shqiptare aktualisht janë sektori i ndërtimit dhe ai i turizmit.

Duke iu referuar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi vlerësimin e ekonomisë shqiptare, duke parashikuar një ecuri të qëndrueshme në mes të një ambienti global të paqëndrueshëm, Buxhuku tha se pasiguria e tregjeve globale mund të prekë edhe ekonominë tonë, por sipas tij, aspekti ekonomik duhet parë nga brenda.

“Pasiguria në tregjet globale natyrisht që e prek Shqipërinë, por unë them që problematikat kryesore ne i kemi nga brenda. Kështu që ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë zhvillimeve ndërkombëtare por ne duhet të shikojmë se çfarë duhet të rregullojmë brenda vetes sonë. Problematikat që kemi janë të mëdha.

Njëra anë është rritja që thuhet në terma të përgjithshme, ndërsa kur futesh në brendësi arrin të kuptosh se cilat janë problematikat reale që ka ekonomia shqiptare ose mundësitë reale.

Ne kemi një të keqe të madhe, që është një minë me sahat për ekonominë shqiptare fakti që ne nga viti në vit ne mbështetemi shumë në dy kolona që është ajo e ndërtimit dhe turizmit, pra investimeve të bëra në këtë sektorë që japin kontributin kryesor në rritjen e ekonominë shqiptare diku afër 19, 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Buxhuku.

Megjithatë, eksperti Buxhuku evidentoi edhe problematikat me të cilat haset ekonomia shqiptare.

“Por problematika e madhe është rënia e industrisë dhe rënia e bujqësisë. Pra, thelbin e dobësisë së saj e ka për faktin që nuk kemi më prodhim.  Po bien sektorët prodhues, sepse nuk mund të mbahesh dot me një sektor siç është ndërtimi ose siç është turizmi të cilët edhe në vetveten e tyre nuk janë të qëndrueshëm nëse ti nuk ke prodhim që ti ta shesësh. Je i detyruar ta marrësh nga importi”, theksoi Buxhuku ndërsa shtoi se ajo që po ndodh në ekonominë shqiptare, ka të bëjë me faktin sipas tij se “po vijnë turistë në Shqipëri, po paguajnë, po na lënë mbeturinat ne dhe ndërkohë importet rriten. Që do të thotë që paratë që turistët lënë në Shqipëri brenda, po shkojnë përsëri jashtë me importet qoftë industriale, qoftë bujqësore. Kjo është një minë me sahat për ekonominë shqiptare që i duhet kushtuar rëndësi e madhe.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme