Kuvendi rrëzoi kërkesën e PD për mocion për programin e qeverisë, Alizoti: Demokracia jeton nga debati

Politikë | 1 vit më parë

Deputeti demokrat, Tomor Alizoti akuzoi Partinë Socialiste se ka i hequr të drejtën e opozitës për debat në Kuvend. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Alizoti u ndal te vendimet e socialistëve për të kaluar në votime pa debat në seancat plenare, teksa tha se nuk mund të mbyllet një seancë prej reagimit emocional të deputetëve. Ai theksoi se “demokracia jeton nga debati”, ndërsa akuzoi Partinë Socialiste për lidhje me “oligarkë dhe të fortë”

“Demokracia jeton nga debati. Rikthejeni seancën e parë e cila ka qenë shtylla e shtetit shqiptar. Demokracia jeton nga kritika. Jemi shumë larg praktikimit të demokracisë. Opozita ka fjalën. Nuk mund të mbyllet një seancë për reagimin emocional të shumë deputetëve. Nuk mund ta mbyllni se u mërzitët ju, apo lideri juaj. Ne jemi shumë larg demokracisë. Ju jeni me oligarkët, me të fortët e Durrësit, me të fortët e të gjithë Shqipërisë. Ku qëndron punëtori, i pamunduri… rreth jush janë mbledhur dhe pozicionuar të gjithë oligarkët dhe të gjithë të fortët. Ky është realiteti i një partie sociale e cila sot duhej të ishte në një debat ideologjik”, tha ai.

Ndërkohë, pas fjalës së Alizotit, kreu i Kuvendit Niko Peleshi kaloi në votim kërkesën e PD-së për mocion me debat për programin e qeverisë, që u rrëzua me votat e socialistëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme