Veterani Agim Pllashniku niset nga Prishtina në Radio Kukësi për 12 orë në këmbë për t’iu bashkuar protestës në mbështetje të UÇK-së
Veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku, është nisur që prej ditës së djeshme në ora 10:00 në këmbë nga Prishtina drejt protestës që do të mbahet nesër (17 tetor) në mbështetje të UÇK-së në Tiranë. Ai ka mbërritur pas 12 orësh në Kukës, ku ndalesën e parë e ka bërë pikërisht në Radio Kukësi për të gjithë kontributin që kjo radio ka dhënë gjatë luftës së Kosovës.
Pllashniku u bëri thirrje qytetarëve shqiptarët që të marrin pjesë në protestën e nesërme në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.
“Kam kënaqësi që dje ora 10:00 jam nisur prej Prishtinës dhe tani në të njëjtën kohë ora 10:00 mbërrita te Radio Kukësi. Radio Kukësi, kontributin që ka dhënë gjatë luftës, është e vetmja radio e shkëlqyeshme që ka dhënë për luftën e shenjtë të UÇK-së. Përshëndes gjithë popullin shqiptar dhe kam një thirrje: Të gjithë nesër ora 17:00 të marrin pjesë në sheshin ‘Skënderbej’ në protestën madhështore që do bëhet në Tiranë.
Hyra këtej se m’u kujtuan se kam pasur 2-3 takime me komandant Plakun. Ka qenë një komandant një patriot që i mungon krejt trojeve shqiptare. Lavdi për Plakun, për veprat e tij”, deklaroi veterani.
Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë do nisë ditën e nesërme (17 tetor) në orën 17:00, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në mbështetje, do të ketë edhe nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri. Qëllimi i protestës është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




