Blushi: Rama tentativa për të amnistuar veten nga thika pas shpine që i ngul Kosovës

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një reagim për mediet jashtë ambienteve të Parlamentit i ka konsideruar të papranueshme thirrjet e qeverisë ndaj opozitës për t’iu bashkuar protestës së nesërme (17 tetor) në mbështetje të UÇK-së.
Blushi nuk ka kursyer as akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar si të vetmin zyrtar të lartë shqiptar antishqiptar që sipas kreut të grupit parlamentar të PL-së, tenton të amnistojë veten nga thikat pas shpine ndaj Kosovës.
“Unë sot dënova përpjekjen e atyre që na bënin thirrje për të vlerësuar Shqipërinë mbi partinë, e krahasova me përpjekjen e atyre që donin të vendosnin Jugosllavinë mbi Shqipërinë dhe mbi çështjen kombëtare. E papranueshme ti bëhet thirrje sot opozitës për të ndjekur një thirrje të një antishqiptari të faktuar për të mbrojtur çështjen e Kosovës dhe këtu i referohem kryeministrit Edi Rama. Shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë për të mbrojtur Kosovën, jo me retorike e mitingje, por në OKB, NATO dhe KiE e organizmat e tjera.
Ju kujtoj të gjithëve se nëse ka pasur një zyrtar të lartë shqiptar, një akt i paprecedentë që ka kërkuar dënimin dhe burgosjen e drejtuesve të UCK ky është Edi Rama. I pari dhe i vetmi kryeministër shqiptar që hodhi në gjyq Ramush Haradinajn për shpifje, mbështeti planin ogurzi i ideuar nga Vuçiç për ndryshimin e kufijve të Kosovës, që mbështeti nismën e Ballkanit të hapur për asgjësimin e Kosovës, që botërisht kërkoi dhe deklaroi se veriu i Kosovës është dhe duhet trajtuar si tokë e askujt. Ndaj asnjë thirrje e këtij antishqiptari për të përzier në një miting shqiptarët me shqipfolësit nuk është thirrje e sinqertë dhe nuk pranohet. Çdo tentativë për të amnistuar vetveten nga krimet dhe thika pas shpine që i ngul Kosovës, nuk konsiderohet si përpjekje për të amnistuar vetveten”, deklaroi Blushi.
Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë do nisë ditën e nesërme (17 tetor) në orën 17:00, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në mbështetje, do të ketë edhe nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri. Qëllimi i protestës është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




