Presidenti Begaj pret Ali Ahmetin: UÇK-ja është krenari dhe pjesë thelbësore e historisë sonë

Aktualitet | 1 vit më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim z. Ali Ahmeti, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i Shtetut vlerësoi rolin e Ahmetit si një ndër themeluesit e UÇK-së, ndërsa theksoi se tubimi i sotëm krah veteranëve në Tiranë dëshmon mbështetjen unanime të shqiptarëve ndaj luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës.  

“UÇK-ja bën krenar çdo shqiptar. Ajo është pjesë thelbësore e historisë sonë, sepse bëri një luftë të drejtë ndaj padrejtësisë shekullore”, – vlerësoi Presidenti Begaj, i cili theksoi se UÇK-ja ka pasur gjithmonë mbështetjen e aleatëve tanë, pasi ka qenë një organizëm çlirues dhe jo okupues.  

Gjatë bisedës me kreun e BDI-së Ali Ahmeti u diskutua edhe për faktorin shqiptar në rajon. Presidenti Begaj u shpreh për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit dhe unitetin për çështjet që lidhen me identitetin kombëtar, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin Euroatlantik të tij.

Kreu i Shtetit garantoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj faktorit politik shqiptar në rajon dhe përpjekjeve për të siguruar ndaj qytetarëve një jetesë sa më të mirë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme