“Drejtësi për çlirimtarët” sot në Tiranë, protesta mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Aktualitet | 1 vit më parë

Qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare pritet të bëhen bashkë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në protestën mbarëkombëtare “Drejtësi për çlirimtarët”.

Nga Kosova janë nisur autobusët e parë me mbështetës të ish-liderëve të UÇK-së, që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

Qytetarët u mblodhën që nga mëngjesi pranë Pallatit të Rinisë në Prishtinë për t’u bërë pjesë e protestës që nis në orën 17:00.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që ka organizuar edhe tubimin në Tiranë, njoftoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen mbi 60 autobusë me qytetarë.

Dy ditë më parë mbështetës të ish-liderëve të UÇK-së janë nisur edhe në drejtim të Hagës. Rreth 150 motoristë nga Kosova me bluza me mbishkrimin “Liria ka emër” pritet të mbërrijnë qytetin holandez, ndërsa marshimi i tyre pas Hagës do të vijojë drejt Brukselit.

Përkrahje për protestën kanë deklaruar politikanë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Autoritetet shqiptare të enjten njoftuan se “Rruga e Kombit” do të jetë pa pagesë për qarkullimin e automjeteve në shenjë solidarizimi me protestën.

Protesta të ngjashme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar më herët edhe në Prishtinë e Hagë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme