Moisiu nga protesta: U takova me krerët e UÇK-së në Hagë, ata janë të burgosur pa prova

Në kuadër të protestës mbarëkombëtare “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të paraburgosur në Hagë, fjalën e parë e mbajti ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Moisiu zbuloi se së bashku me ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe me ish-kryeministrin Pandeli Majko, ai ka realizuar një vizitë personale te të paraburgosurit në Hagë.
“Nga këta burra kuptova dhe pashë se ata nuk ishin të frikësuar, por ishin të qetë për të mbrojtur luftën e UÇK-së nga njollat e hedhura nga ata që nuk u duan të mirën shqiptarëve,” tha Moisiu, duke shtuar bindjen se drejtësia do të bëjë detyrën e saj në krahun e “katër vëllezërve të UÇK-së”.
Moisiu: Ata janë burgosur pa prova
Ish-presidenti theksoi rolin e mbështetjes ndërkombëtare për luftën e Kosovës, duke përmendur NATO-n, SHBA-në dhe Perëndimin.
“Zyrtarët amerikanë që po dëshmojnë në Hagë, po sjellin prova se ata janë të pafajshëm. Ata nuk ishin kriminelë, por udhëheqës të lirisë,” apeloi Moisiu.
Në mbyllje të fjalës së tij, Moisiu kërkoi unitet mbarëkombëtar.
“Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin për të mbrojtur sakrificat e njerëzve tanë. S’mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i heronjve të UÇK-së.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




