“3D” në RTSH- Akuza të avokatit Beqiri: Gjykata e Hagës bie erë serbo- ruse

Aktualitet | 1 vit më parë

Debati mbi Gjykatën Speciale të Hagës dhe paraburgimin e ish-krerëve të UÇK-së u thellua në emisionin “3D” të RTSH-së, ku avokati Idajet Beqiri bëri një seri akuzash të ashpra. Beqiri theksoi se Gjykata u krijua mbi bazën e raportit të Dik Martit për akuzat e “Shtëpisë së Verdhë”. Por, sipas tij, Gjykata doli nga funksioni i saj pasi këto akuza makabre “nuk u provuan asnjëherë dhe u rrëzuan.”

“Me rrëzimin e akuzave duhej të ishte shkrirë. Por ajo sajoi akuza që të rrinte në këmbë. Edhe logjika më minimale juridike nuk i pranon këto lloj akuzash,” u shpreh Beqiri.

Avokati ngriti dyshimet se qëllimi i vërtetë i Gjykatës është politik.

“Qëllimi i vërtetë është të godasë UÇK-në dhe udhëheqësit e saj. Duke i goditur bie dhe shteti i Kosovës dhe pavarësia, pasi këta heronj e shpallën pavarësinë.”

Akuzat për ndikim serbo-rus

Më tej, Beqiri akuzoi Gjykatën si të ndikuar nga fuqitë armiqësore ndaj Kosovës.

“Bie erë serbo-ruse kjo Gjykatë. E miraton parlamenti i Kosovës dhe nuk është në Kosovë. E çuan në Hagë.”

Ai kritikoi ashpër edhe kohëzgjatjen e paraburgimit, duke theksuar se të mbahen ish-udhëheqësit 5 vjet në arrest, kur 3 vjet nuk është bërë asnjë veprim, është absurd.

“Thjeshtë shtyjnë ditët sepse marrin rroga të mira,” përfundoi Beqiri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme