Revista “Your Overseas Home”: Shqipëria ndër vendet më të mira për investime në pasuri të paluajtshme

Ekonomi | 1 vit më parë

Një prej portaleve më të mëdha evropiane të shitblerjeve, “Your Overseas Home”, e rendit Shqipërinë si një  ndër vendet më të përballueshme për investime në tregun imobiliar. 

Pas analizës së kryeqyteteve europiane, kjo revistë ka arritur në përfundimin se pronat në Europën Lindore ofrojnë më shumë vlerë për paranë krahasuar me ato në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. Në renditjen e dhjetë kryeqyteteve më me interes  për të blerë një pronë përfshihen Prishtina, Sofja, Zagrebi, Podgorica, Tirana, Shkupi, Baku dhe Sarajeva, duke e pozicionuar rajonin si një alternativë tërheqëse për investitorët.

Nga ana tjetër,  sipas raportit të Deloitte për Indeksin e Pronës, tregu i pasurive të paluajtshme në Europë po përjeton një valë të re rritjesh. Polonia kryeson me rritjen më të madhe të çmimeve të banesave të reja, e nxitur nga një skemë subvencionesh qeveritare që shtoi ndjeshëm kërkesën.

Ndërsa Shqipëria renditet menjëherë pas Polonisë, me një rritje prej 16.6% në çmimet mesatare të banesave të reja. Këto të dhëna tregojnë një prirje të qartë rritëse në rajon, të lidhur ngushtë me kërkesën e fortë dhe zhvillimet infrastrukturore.

Ndër qytetet me rritjen më të madhe të çmimeve spikasin Krakovi dhe Jerusalemi , ndërsa Tirana dhe Vlora renditen menjëherë pas tyre me një rritje prej 25% .

Interesi i lartë i blerësve vendas dhe të huaj, sidomos në Vlorë, është shtuar ndjeshëm për shkak të zhvillimeve të mëdha në turizëm dhe investimeve infrastrukturore si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, Bypass-i dhe Tuneli i Llogarasë.

Sipas këtij portali Shqipëria është ndër vendet më të përballueshme, por edhe më premtuese për investitorët e huaj edhe pse çmimet janë rritur.

Përveç çmimeve ende konkurruese për Europën, vendi do të përfitojë ndjeshëm nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, që pritet të rrisë vlerën e tregut dhe të nxisë një zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme