Bisedimet për avancimin e armëpushimit në Gaza- Witkoff dhe Kushner mbërrijnë sot në Izrael, Vance të martën, takime me Netanyahun

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe këshilltari tjetër i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, do të mbërrijnë këtë të hënë (20 tetor) në Izrael, ndërsa zv.presidenti amerikan, JD Vance, do të zbarkojë në vend të martën.
Tre zyrtarët do të takohen me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të lartë izraelitë gjatë vizitës së tyre, me qëllim avancimin e mëtejshëm të kuadrit të armëpushimit të Uashingtonit në Gaza.
Mediat e huaja raportojnë se SHBA-të planifikojnë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të emëruar forcën ndërkombëtare për të stabilizuar Rripin e Gazës.
Witkoff ka deklaruar se 50 miliardë dollar mund të jetë vlera që do duhet rindërtimin e Rripit të Gazës.
“Vlerësimet janë në rangun e 50 miliardë dollarëve (37.2 miliardë paund). Mund të jetë pak më pak; mund të jetë pak më shumë”, tha i dërguari special i SHBA-së, i cili luajti një rol kyç në negociatat e marrëveshjes së armëpushimit.
Një ditë më parë (19 tetor), Gjykata e Qarkut të Jerusalemit anuloi seancat dëgjimore për dëshminë e Netanyahut në gjyqin e tij penal që ishte planifikuar për të hënën dhe të martën, duke përmendur “takime urgjente diplomatike” në të cilat kryeministri tha se duhej të merrte pjesë. Avokatët e Netanyahut shtuan se ai nuk do të jetë në gjendje të dëshmojë as të mërkurën dhe as të enjten, për shkak të vizitës së ardhshme të Vance dhe një ceremonie betimi për kreun e ri të Shin Bet, David Zini.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




