Berisha, akuza për Aeroportin e Vlorës: Aferë korruptive! Shqiptarët do paguajnë 130 milionë euro

Politikë | 1 vit më parë

Pas incineratorëve, kryedemokrati Sali Berisha e quan aferën e dytë më të madhe korruptive në vend, projektin e Aeroportit të Vlorës.

“Pra, në vend se t’i paguajë shtetin fee-në koncesionare nga viti i parë, qytetarët i paguajnë Lubisë, Ramës dhe koncesionarit 130 milionë euro, pra nja 20 milionë euro më shumë se të gjitha shpenzimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës,” tha kryedemokrati.

Berisha tha se pista është jashtë çdo standardi dhe se për këtë arsye, sipas tij, inxhinieri supervizues është arratisur. Por kjo nuk ishte e vetmja arratisje e denoncuar nga Berisha në këtë komunikim me mediet.

“Së fundmi, dua të informoj shqiptarët se Gjushi, sipas shumë të dhënave, është larguar nga vendi, në drejtim të paditur. I bëj thirrje të tregojë vendin ku ndodhet. Dhe historia është kjo. Këtu deklarova unë, ose në parlament, se tani po përdoret policia nga bandat për eliminimin e njëra-tjetrës,” tha kryetari i PD-së.

Sa i takon protestës në mbështetje të UÇK-së, Berisha tha se nuk ka pasur urdhër për të ndaluar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj.

Kryeministri Edi Rama e quan “hipokrit” për Kosovën.

“Si njeriu që mbështeti projekti i Millosheviçit, të vulosura tashmë nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros dhe fondacioni i tij. Janë kështu këto apo jo. I pari që do i vendoste sanksione qeverisë së Kosovës. Si mund ta bëje? Ti jo vetëm qeverisë së Kosovës, por ka një kod me fqinjtë. Nuk mund të ja bësh fqinjit atë. Ajo është masë ekstreme, ajo është masë para lufte dhe ky, se nuk dua të përdor atë gjuhë që meriton, ky i vendos sanksione. Nga pozita shqiptarësh, nuk mund të gjesh asnjë lloj fjale tjetër, përveç tradhtar më i keq pas Enver Hoxhës, i shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti,” u shpreh Berisha.

Referuar zgjedhjeve të pjesshme vendore të 9 nëntorit, PD-ja, tha Berisha, do të mbështesë kandidatët e pavarur sipas një vendimi të marrë disa ditë më parë.

Kandidaturave të tjera të pavarura, sikundër ishte ai i vetëshpallur një ditë më parë në Vlorë, Berisha nuk i kushtoi vëmendje për koment.

“Ai është këshilltar i propozuar nga Basha me Alibeajn, nuk e lidh asgjë me PD. Kështu që të pyesësh se kë do mbështesë PD, ne do mbështesim kandidatin që kemi deklaruar se do të mbështesim,” deklaroi kryedemokrati.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme