Avokat Ramaj: Jemi kthyer si në kohën e komunizmit. Avokatët nuk lejohen të bëjnë detyrën

Aktualitet | 1 vit më parë

 Avokati Redi Ramaj, i ftuar në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi në RTSH1, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të avokatit Ulian Bajrami, duke e cilësuar si një akt të rëndë që rikthen kujtimet e errëta të sistemit komunist.

Sipas Ramajt, ky rast përbën një precedent të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë dhe cenon rolin e avokatit në procesin gjyqësor.

“Të arrestohet një avokat është gjë shumë e rëndë. Kishim vite pa e dëgjuar, nga mbledhjet politike të Byrosë Politike të Komunizmit, që në ndonjë sallë gjyqi të vijë prokurori dhe të thotë ‘të arrestohet avokati’,” u shpreh Ramaj.

Ai theksoi se veprimet e avokatit Bajrami nuk përbëjnë as fyerje, as tejkalim etik, dhe as kërcënim.

 “Të thuash ‘do merrem personalisht me ty duke ndjekur rrugën ligjore për të bërë kallëzim penal’ është një e drejtë e avokatit,” theksoi ai duke mbrojtur veprimet e kolegut të tij.

Ramaj ngriti akuza të rënda ndaj Prokurorisë së Elbasanit, duke pretenduar se ajo ka paraqitur prova të manipuluara në një çështje gjyqësore.

Sipas tij, në një seancë ku ishin të pranishëm 12 persona nën hetim, prokurori kishte sjellë një video si provë, në të cilën shfaqeshin vetëm gjashtë prej të pandehurve, ndërsa për të gjashtë të tjerët pretendonte se ishin po ashtu në video.

“Disa nga avokatët të paktën që kam pyetur 6 nga personat nën hetim që ishin në masë sigurimi ishin në videon të cilën e kishte sjellë prokurori si provë dhe 6 të tjerët nuk ishin. Dhe prokurori për të 12 i fuste në video. Dhe thoshte janë këta dhe me atë provë donte masë sigurimi; arrest me burg që mori nga gjykata e Elbasanit dhe në momentin që një mbrojtës bën detyrën e tij dhe kundërshton provat dhe sheh prova të manipuluara ka detyrimin si qytetar fillimisht të thotë se do të bëjë kallëzim penal sepse ka rënë në dijeni të provave të falsifikuara. E ka detyrimin gjyqtarja dhe prokurori i çështjes që është aty në seancë”, deklaroi Ramaj.

Ai shtoi se kur një mbrojtës ligjor konstaton prova të manipuluara, ka detyrimin si qytetar dhe si profesionist të denoncojë këto shkelje përmes kallëzimit penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme