Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sadushi: Reforma në drejtësi nuk ka dështuar, u pengua nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me ndershmëri
Në konferencën e mbajtur me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prof. Sokol Sadushi, solli një analizë të thelluar dhe reflektuese mbi rrugëtimin e sistemit të drejtësisë në vend, duke u ndalur te sfidat e reformës dhe procesi i konsolidimit institucional.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se reforma në drejtësi nuk ka dështuar, por është penguar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin përkushtim dhe ndershmëri me të cilën u konceptua.
“Reforma në drejtësi nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe ndershmëri me të cilën u ndërtua,” u shpreh Sadushi.
Ai rikujtoi se kjo reformë u mbështet nga një konsensus i gjerë politik, duke e cilësuar si “momentin më të fortë të bashkimit politik në historinë e pluralizmit shqiptar, me 140 vota ‘pro’ dhe me dakordësinë e plotë të Komisionit të Venecias, që u bë garancia ndërkombëtare e legjitimitetit të saj.”
Kryetari Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.
“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur.”
Sadushi theksoi se drejtësia shqiptare duhet të hyjë në fazën e vetëpërmirësimit dhe të konsolidimit, duke e çliruar veten nga “kompleksi i reformave” dhe duke fituar besimin përmes sjelljes dhe vendimeve të ndershme.
“Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me sjellje dhe me vendime që mbrojnë ligjin dhe dinjitetin njerëzor.”
Në fjalën e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë kujtoi rolin historik të Komisionit të Venecias si udhërrëfyes moral dhe intelektual në rrugën e reformave shqiptare. Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një shtyllë themelore e drejtësisë shqiptare, por maturia e sistemit matet me aftësinë për ta kthyer bashkëpunimin në përgjegjësi të brendshme.
“Komisioni i Venecias nuk ka qenë thjesht ndihmë teknike, por një udhëzim moral që e bëri drejtësinë shqiptare pjesë të familjes evropiane të ligjit. Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet nga të tjerët për ne, por ndërtohet bashkë, me përkushtim, guxim dhe besim. Pas tridhjetë vjetësh partneritet dhe mbështetje nga institucionet evropiane, Shqipëria përballet me një provë të re: ta shndërrojë rezultatin e reformës në drejtësi në një proces të qëndrueshëm konsolidimi institucional,” u shpreh Sadushi, duke nënvizuar se reforma ka shkëputur lidhjet e varësisë politike, ka shkatërruar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe ka vendosur integritetin në qendër të debatit publik.
Ai theksoi se “drejtësia shqiptare fitoi një status të ri moral, duke u perceptuar si shpresë dhe jo si burim i zhgënjimit qytetar,” por paralajmëroi se fryma e reformës mbart sfida të mëdha, si ruajtja nga deformimet, mbrojtja e pavarësisë së institucioneve të reja dhe përgatitja e një brezi magjistratësh që ta kuptojnë reformën si akt përgjegjësie, jo si mekanizëm kontrolli.
Sadushi vuri në dukje se përzgjedhja e drejtuesve në organet e qeverisjes së drejtësisë duhet të bazohet jo vetëm në profesionalizëm, por edhe në integritet dhe vizion. “Vetëm drejtuesit me kulturë shtetërore mund ta mbrojnë dhe ta çojnë përpara frymën e saj fillestare,” tha ai.
Duke reflektuar mbi zbatimin e reformës, Sadushi pranoi se “çdo reformë varet nga mënyra e zbatimit dhe nga njerëzit që e mbajnë gjallë.” Ai evidentoi mungesat në trupën gjyqësore, ngarkesën e lartë të çështjeve dhe vonesat në dhënien e vendimeve si sfida të vazhdueshme. Për vetingun, ai tha se “pavarësisht vlerës historike për pastrimin moral të sistemit, nuk ka qenë i imunizuar ndaj problemeve,” duke përmendur vendimmarrje të pabarabarta dhe mungesë koherence në interpretim.
“Drejtësia kërkon jo vetëm kontroll, por edhe kulturë përgjegjësie dhe vetërregullimi,” tha Sadushi, duke shtuar se trashëgimia e reformës duhet ushqyer çdo ditë me besim dhe guxim institucional. “Nëse procesi i vetingut shënoi pastrimin moral të sistemit, sfida e sotme është ndërtimi i një kulture të qëndrueshme përgjegjësie dhe besimi.”
Ai theksoi se ngritja e institucioneve të reja nuk është fundi i reformës, por vetëm fillimi i saj. “Reformat janë të vërteta vetëm kur ndryshojnë sjelljet dhe standardet e atyre që i zbatojnë,” tha Sadushi, duke shtuar se “Komisioni i Venecias mund të japë modele, por etika, kurajë dhe përkushtimi nuk importohen. Ato ndërtohen nga brenda, përmes përgjegjësisë dhe shembullit personal.”
Në përmbyllje, Sadushi u shpreh se “qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë.” Ai theksoi se besimi nuk fitohet me fjalë, por me sjellje dhe vendime që mbrojnë ligjin dhe dinjitetin njerëzor. “Reforma nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe integritet, me të cilin u ndërtua,” përfundoi ai.
Në përfundim, Kryetari Sadushi u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe politikës që të mbajnë gjallë frymën e reformës përmes integritetit, guximit dhe përulësisë para ligjit: “Le ta bëjmë drejtësinë pasqyrë të më të mirës që kemi si komb, me integritet që nuk blihet, me dinjitet që nuk përkulet dhe me etikë që nuk komprometohet.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




