“Tema e Ditës” në RTSH 1- Petro Koçi: PD-ja është dorëzuar plotësisht, fushata vendore e PS-së rrezikohet nga pasiviteti, jo nga rezultati
Në një analizë të detajuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH 1, në moderimin e Arbër Hitaj, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ofroi një vlerësim ndaj opozitës dhe theksoi rëndësinë e angazhimit të mazhorancës në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Koçi argumentoi se rezultati i këtyre zgjedhjeve është i parashikueshëm në favor të PS-së, por paralajmëroi se sfida kryesore e socialistëve do të jetë pjesëmarrja e tyre dhe jo rezultati në votë.
Opozita “e dorëzuar” dhe “qyrku”
Duke komentuar strategjinë e Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale, Koçi deklaroi se PD-ja “është dorëzuar plotësisht”, duke theksuar se mungojnë kandidatët e tyre.
“Taktika e PD-së është që t’ja vesh qyrkun e humbjes dikujt tjetër. Pavarësisht kësaj PS-ja duhet të jetë aktive. Pasiviteti është armiku kryesor në zgjedhje,” theksoi ai, duke i kërkuar partisë së tij mobilizim maksimal.
Vlerësim për ndërhyrjen e Ramës në administratë
Një pikë thelbësore e komenteve të Koçit ishte ndërhyrja e Kryeministrit Edi Rama për të adresuar problemin e administratës vendore, të cilën e cilësoi si “republikë e drejtorëve”.
Sipas ish-deputetit, ky ishte një veprim i domosdoshëm pas vitesh vështirësi në sjelljen e ndryshimeve reale në administratë.
“Nuk është se Rama nuk e ka kërkuar dhe më parë… Por nuk ka pasur gjithnjë përgjigjen e duhur. Janë bërë qarkullime dhe jo ndryshime. Janë ndryshuar ministra e deputetë, por jo drejtorët,” shpjegoi Koçi, duke sugjeruar se ndërhyrja e fortë e Kryeministrit në këtë mandat ishte e vetmja rrugë për të shmangur bllokimin e agjendës qeveritare nga elementë të administratës që rezistonin ndryshimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




