Rubio paralajmëron Izraelin të mos minojë armëpushimin e të ndalë hapat për aneksimin e Bregut

Botë | 1 vit më parë

Pasi ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për dy projektligje që synojnë të çojnë para planet për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, diplomati më i lartë amerikan, Marco Rubio paralajmëroi se lëvizje të tilla mund të kërcënojnë planin e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. “Presidenti e ka  bërë të qartë se kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani për tani dhe mendojmë se kjo është potencialisht kërcënuese për marrëveshjen e paqes”-  u tha Rubio gazetarëve ndërsa u nis për në Izrael.

“Në këtë kohë, është diçka që ne mendojmë se mund të jetë kundër produktive”- u shpreh ai. I pyetur për dhunën në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, Rubio tha se SHBA është e shqetësuar për çdo gjë që kërcënon të destabilizojë atë për të cilën ka punuar.

Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967 dhe dhuna atje është rritur që nga fillimi i luftës në Gaza. Vizita e Sekretarit të Shtetit është e fundit e një zyrtari të lartë amerikan, i cili po bën thirrje që të mos cënohet armëpushimi i brishtë i arritur mes shtetit hebre dhe grupit militant palestinez Hamas, pas dy vitesh lufte shkatërruese që ka tronditur Lindjen e Mesme.

Të shtënat dhe shpërthimet e përsëritura në Gaza kanë vënë në pikëpyetje marrëveshjen dhe të dyja palët kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për shkelje të fazës së parë të saj, ku deri tani janë liruar 20 pengje të gjallë izraelite dhe janë dorëzuar trupat e pajetë të disa të tjerëve në këmbim të lirimit të rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë, por edhe tërheqjes së pjesshme të trupave ushtarake izraelite nga Rripi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme