Trump fal themeluesin e Binance, i hapet rrugë rikthimit të mundshëm të platformës më të madhe të kriptomonedhave në SHBA

Botë | 1 vit më parë

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Donald Trump ka falur Changpeng Zhao-n, themeluesin e Binance, platformës më të madhe të kriptomonedhave në botë. Zhao ishte ndjekur penalisht nga administrata Biden për shkelje në industrinë e kriptove, por nuk kishte akuza për mashtrim apo viktima.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se kjo ndjekje ishte pjesë e një sulmi ndaj gjithë sektorit të kriptovalutave. Në vitin 2023, Binance u shpall fajtore për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave dhe sanksioneve.

Kompania pranoi të paguante mbi 4 miliardë dollarë dëmshpërblim dhe u ndalua të operonte në SHBA. Zhao u shpall fajtor për mosmbajtjen e një programi efektiv kundër pastrimit të parave dhe u dënua me 4 muaj burg, nga të cilët vuajti pjesën më të madhe dhe u lirua në shtator 2024. Gazeta Wall Street Journal raportoi se Binance kishte punësuar lobistin Ches McDowell për të kërkuar falje presidenciale për Zhao-n.

Po ashtu, Binance mbështeti një sipërmarrje të lidhur me familjen Trump. Ndërkohë, versioni amerikan ‘Binance.US’ vazhdoi të funksionojë, ndërsa kompania mëmë nuk operon më në SHBA. Falja e Trump mund të hapë rrugën për rikthimin e Binance në tregun amerikan. Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë përplasjesh ligjore dhe politike për industrinë e kriptomonedhave. Zhao tashmë është jashtë burgut dhe falja mund t’i japë atij mundësinë për të rifilluar aktivitetet e tij në SHBA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme