Zhupa denoncon nga Durrësi: Po shembet trashëgimia e qytetit për ndërtimin e kullave

Politikë | 1 vit më parë

Deputetja demokrate, Ina Zhupa, ka denoncuar në qytetin e Durrësit shembjen e disa objekteve të trashëgimisë kulturore, duke e akuzuar projektin “TID” për rijetëzimin dhe rikualifikimin urban, si një plan korruptiv dhe klientelist.

Ajo theksoi se ky projekt, që synon ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, nuk ka aspak si prioritet mbrojtjen e trashëgimisë historike të qytetit, por krijimin e hapësirave për interesa private dhe klienteliste.

“Ndodhem në qytetin e Durrësit, kam ardhur këtu për të denoncuar projektin e famshëm “TID” për rijetëzimin dhe rikualifikimin urban të disa zonave të Durrësit. Në fakt është thjeshtë një projekt korruptiv dhe klientelist që nuk ka rëndësi për të mbrojtur trashëgiminë apo historinë e Durrësit por për të krijuar hapësira të reja për interesa klienteliste. Këtu jemi në një rast tipik në cilin mund të gjykojnë vetë qytetarët që do ta ndjekin”, tha Zhupa.

Duke treguar një mur otoman i vitit 1500, Zhupa tha se ajo duhet të ishte ruajtur, por po shkatërrohet në kuadër të projektit. Ajo kërkoi që ky projekt të ndalohet dhe të mbrohet trashëgimia historike dhe identiteti i qytetit të Durrësit.

“Kjo është një shtëpi e cila është e kualifikuar nga projekti TID për t’u shembur. Para këtu ka qenë një tabelë e cila tregonte se ky mur është një mur otoman i vitit 1500 dhe duhet të mbrohej nga shteti dhe jo të shkatërrohej nga shteti. Ndërkohë është parashikuar se do të shembet dhe vetëm 5 hapa larg ngjitur po ndërtohet një pallat i ri në një zonë e cila ishte lulishte. Ky projekt ka vetëm një qëllim, ka si qëllim të krijoj hapësira të reja publike për qëllime klienteliste”, tha Zhupa.

Zhupa tha se do të kundërshtojnë këtë projekt në çdo formë, përmes gjyqeve, në Parlament dhe kudo tjetër, në mënyrë që Durrësi të ruajë historinë e tij dhe të mos shndërrohet në një hapësirë për ndërtimet që shërbejnë vetëm për interesa private.

“Do të kundërshtohet nga ne në gjitha format, në gjitha instancat, në gjyqe, në Parlament dhe kudo”, tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme