Presidenti Begaj në 100-vjetorin e Klubit të Futbollit “Besa”: Në historinë e saj gjejmë edhe historinë e Kavajës

Aktualitet | 1 vit më parë

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të Klubit të Futbollit “Besa” të Kavajës, duke vlerësuar kontributin historik të këtij ekipi në sportin shqiptar dhe në identitetin qytetar të Kavajës.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Kreu i Shtetit theksoi rolin bashkues dhe shpirtëror që ka luajtur futbolli dhe klubi “Besa” ndër breza, duke e cilësuar si një simbol të përbashkët të qytetarëve të Kavajës.

“Në historinë e Besës gjejmë edhe historinë e Kavajës sonë të dashur,” u shpreh Presidenti Begaj, duke e cilësuar Kavajën si qytetin e njerëzve të besës, të besimit fetar dhe respektit ndaj tjetrit, si pishtar të demokracisë në Shqipëri dhe si vend ku futbolli është pjesë e identitetit qytetar.

Në vijim, Presidenti përmendi emrat legjendarë që kanë nderuar fanellën e Besës ndër vite, duke përfshirë figura të njohura si Qamil Teliti, Qemal Vogli, Shefqet Topi, Agim Dizdari, Dhimitër Dimroçi, Naim Allaj, Muharrem Karriqi, Nimet Mërhori, Zenel Kashami, Bujar Pagria, Xhavit Daiu, Agron Kariqi, Besnik Dyla, Dash Bajaziti, Sotir Shkurti, Altin Raklli, Sokol Cikalleshi dhe Andi Lila, si dhe futbollistët e rinj Mario Dajsninani dhe Tedi Cara.

“Vlera e madhe e Besës qëndron te shpirti i tifozërisë së saj, që e ndoqi kudo dhe vijon ta mbështesë me gjithë shpirt, siç kavajasit bëjnë kur duan dhe besojnë te një vlerë,” theksoi Presidenti Begaj.

Në përmbyllje, Kreu i Shtetit nënvizoi se ekipi i Besës duhet të mbështetet jo vetëm për vlerat dhe jetëgjatësinë e tij si ekip, por edhe për rolin frymëzues që luan për të rinjtë dhe për rëndësinë që ka futbolli si investim i vlefshëm për çdo komunitet.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë ndërtuar dhe ruajtur historinë e Besës: themeluesit, trajnerët, futbollistët, tifozët dhe kontribuuesit në dokumentimin e kësaj trashëgimie sportive.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme