Dekarbonizim i plotë deri në 2050, qeveria projektligj për Planin Strategjik Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë Planin Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave, një strategji afatgjatë që synon të mobilizojë investime të thella në stokun ekzistues rezidencial, publik dhe të shërbimeve. Vendimi, i cili është në fazën e projektligjit, lidhet drejtpërdrejt me Ligjin për Performancën Energjetike dhe Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
Plani i miratuar vendos objektiva ambicioze me fokus kryesisht në përmirësimin e performancës energjetike dhe mjedisore duke promovuar ndërhyrje për të përmirësuar ndjeshëm performancën energjetike të ndërtesave.
Sipas relacionit, objektivi kryesor është transformimi i stokut ekzistues të ndërtesave në ndërtesa pa emetime deri në vitin 2050, duke kontribuar në Marrëveshjen e Parisit. Një fokus i veçantë i kushtohet reduktimit të varfërisë energjetike për familjet.
Argumentimi i projekt-vendimit thekson disa përparësi të pritshme. Ndërhyrjet e thella në izolimin termik dhe sistemet e ngrohjes/ftohjes pritet të sjellin ulje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike dhe termike, duke ulur kostot për familjet dhe institucionet.
“Implementimi i masave të rinovimit do të gjenerojë kërkesë për fuqi punëtore në ndërtim dhe sektorë mbështetës, duke nxitur zhvillimin ekonomik,” thuhet në relacionin shpjegues.
Sfida e financimit
Relacioni evidenton se sfida kryesore mbetet sigurimi i burimeve financiare për zbatimin e gjerë të projekteve, veçanërisht për kategoritë vulnerabël. Për këtë, Këshilli i Ministrave pritet të hartojë vendime specifike për skemën e mbështetjes financiare për rinovimin e ndërtesave të banimit, ndërkohë që rinovimet për institucionet qendrore do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Për të siguruar zbatimin, ministria përgjegjëse për energjinë do të detyrohet të përgatisë një raport statusi çdo dy vjet, duke u integruar në raportin progresiv të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës. Plani do të rishikohet çdo pesë vjet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




