Kodi Penal në rishikim, dënim deri në 10 vite për ndërtimet e paligjshme, zyrtarët në shënjestër, masa të rënda edhe për zjarrvënësit

Ndryshimet e fundit të propozuara në Kodin Penal, të cilat janë rikthyer për konsultim publik, synojnë të frenojnë ndërtimet pa leje dhe fenomenin e zjarrvënies, duke vendosur sanksione ndjeshëm më të ashpra, sidomos për zyrtarët publikë dhe veprat që prekin zona kritike.
Ndryshimet vënë në shënjestër jo vetëm shkelësit, por edhe zyrtarët që mund të favorizojnë paligjshmërinë, shkruan rtsh.al.
Rritja e dënimeve për ndërtuesit e paligjshëm dhe zyrtarët publikë
Zyrtarët Publikë
Kur ndërtimi i paligjshëm kryhet nga persona me funksione publike në fushën e territorit (zhvillim, planifikim, kontroll), masa parashikohet të jetë burgim nga tre deri në shtatë vjet, si dhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike deri në pesë vjet.
Zona Kritike
Në rastet kur ndërtimi i paligjshëm prek zona të mbrojtura, parqe natyrore, trashëgimi kulturore, objekte kulti apo infrastrukturë kritike, dënimi me burgim shkon nga pesë deri në dhjetë vjet.
Zënia e tokës
Zënia e tokës (publike apo private) pa titull ligjor për ndërtim dënohet me burgim deri në dy vjet. Për raste të përsëritura ose që pengojnë pronarin ligjor, dënimi arrin nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Masat e ashpra kundër zjarrvënësve
Projektligji parashikon ashpërsimin e dënimeve edhe për zjarrvënien e qëllimshme, duke pasur parasysh rreziqet e shtuara nga kushtet e motit.
Zjarrvënësia e kryer në kushte moti që rrisin rrezikun e përhapjes ose pranë banesave dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet. Nëse zjarri prek zona të mbrojtura ose infrastrukturë kritike, dënimi shkon nga katër deri në dhjetë vjet burgim.
Për zjarrvënien e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë së tokës, dënimi është më i rëndi: burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Gjithashtu, gjykata do të vendosë ndalesë tridhjetëvjeçare për ndryshimin e klasifikimit të tokës së djegur në pyje.
Autoritetet kanë deklaruar se këto ndryshime kanë për qëllim frenimin e një fenomeni që ka deformuar rëndë sistemimin urban dhe cilësinë e jetesës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




