Xhamia e Plumbit në Shkodër qëndron e paprekur pas reshjeve intensive falë restaurimit dhe digës mbrojtëse, Rama: Një ndërhyrje e mbarë!

Xhamia e Plumbit, monumenti i vjetër i kategorisë së parë i ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati, ka qëndruar e paprekur nga reshjet e forta të 24 orëve të fundit, një sukses që Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një “ndërhyrje të mbarë” që ka rikthyer vlerat historike dhe jetën shpirtërore në këtë monument të Shkodrës.
“Xhamia e Plumbit, një ndër monumentet më të vjetra dhe më të bukura të Shqipërisë, ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati, e cila dikur përmbytej çdo vit, sot pas restaurimit të thellë e rikualifikimit urban të territorit të saj, nuk cënohet më prej reshjeve intensive. Një ndërhyrje e mbarë që ka rikthyer jo vetëm vlerat historike dhe arkitekturore, por edhe jetën shpirtërore e vizitorët në këtë vend të shenjtë të Shkodrës”, shkruan Rama.
Deri më tani, Xhamia e Plumbit, një nga xhamitë më të vjetra e më të mëdha osmane në Shqipëri (ndërtuar rreth viteve 1773-1774), përmbytej çdo vit.
Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, konfirmoi se falë punimeve të thella të restaurimit, konservimit dhe ndërtimit të mbrojtjes me rrethimin-digë, monumenti kulturor nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga reshjet e fundit.
Ai shtoi se pompat mbrojtëse vijojnë të funksionojnë me kapacitet të plotë për sigurinë e objektit.
Projekti i restaurimit, i realizuar me mbështetjen e qeverisë turke, jo vetëm që riktheu vlerat arkitekturore dhe historike të xhamisë, por transformoi edhe hapësirën përreth, duke e kthyer atë në një atraksion të rëndësishëm turistik për besimtarët dhe vizitorët vendas e të huaj.





/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




