KAS rrëzon Gjergj Nikën si kandidat i pavarur në Vlorë: Vetëshpallja nuk mjafton, duhet Komitet Nismëtar

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) rrëzoi mbrëmjen e së dielës kërkesën e Gjergj Nikës për t’u regjistruar si kandidat i pavarur për Bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e 9 nëntorit.
Anëtarët e KAS argumentuan se, edhe pse Nika gëzon mandatin aktual si këshilltar bashkiak në Vlorë, ai duhet të kishte regjistruar një Komitet Nismëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në përputhje me ligjin për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit.
Sipas logjikës së KQZ, ligji shqiptar nuk e njeh “vetëshpalljen” si kandidat, edhe pse për Nikën, për shkak të mandatit ekzistues, mbetet lehtësim fakti që nuk i duhej mbledhja e 1% të firmave të zgjedhësve.
Vendimi i KAS konfirmoi vendimin e Komisionerit Celibashi.
Paraprin vendimi i Kolegjit Zgjedhor
Në arsyetimin e tij, KAS iu referua një precedentin të vitit 2023 nga Kolegji Zgjedhor, i cili kishte refuzuar regjistrimin e një kandidati për këshilltar në Sarandë, pikërisht për mungesën e Komitetit Nismëtar.
Për Gjergj Nikën, Kolegji Zgjedhor mbetet shkalla e fundit e ankimimit për të sfiduar këtë vendim administrativ.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




