Bruksel- Spiropali takon Komisioneren Kos: Shqipëria, vendi më i suksesshëm në zgjerim, pritet hapja e kapitullit të fundit

Politikë | 1 vit më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku u konfirmua ecuria mbresëlënëse e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Takimi vuri në pah progresin e shpejtë të Tiranës, sidomos pas vendimit për hapjen e negociatave. Ministrja Spiropali e cilësoi vizitën si një moment kulmi, duke e pasqyruar situatën përmes një metafore vizuale:

 “Muri i Zgjerimit” në zyrën e Komisioneres Kos, një pasqyrë e progresit dhe suksesit të Shqipërisë, me 5 grupkapituj të hapur ne 11 muaj, ndërkohë që brenda këtij viti presim të hapim grupkapitullin e fundit, një investim themelor në rrugën e pandalshme të transformimit dhe integrimit të Shqipërisë..”, shkruajti Spiropali në rrjetet sociale.

Vlerësimi i lartë i Komisioneres Kos

Nga ana e Brukselit, Komisionerja Kos nuk kurseu lavdërimet për qasjen e qeverisë shqiptare. Ajo e cilësoi Shqipërinë si “një nga vendet më të suksesshme në grupin e zgjerimit”, duke theksuar se pothuajse të gjithë grupkapitujt janë tashmë të hapur.

Komisionerja shprehu optimizmin se, falë ministres Spiropali, grupi i fundit i negociatave do të mund të hapet brenda muajit nëntor, duke ndryshuar ngjyrën e tij nga e kuqja (në pritje) në të verdhë (i hapur).

Një aspekt tjetër që u vlerësua lartë nga Zonja Kos ishte mbështetja popullore për procesin evropian: “Jam gjithashtu e lumtur që ju keni popullin më pro-evropian, me 92% që mbështesin anëtarësimin e vendit, dhe kjo ju bën kaq të veçantë.”

Ky takim zyrtar konfirmon përpjekjet intensive të diplomacisë shqiptare për të ruajtur ritmin e reformave të brendshme, duke i lidhur ato drejtpërdrejt me qëllimin strategjik dhe thelbësor të integrimit të plotë në familjen evropiane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme