Pavijoni shqiptar në Future Hospitality Summit 2025 në Dubai – Gonxhja: Një prezantim i bukurisë dhe kulturës sonë

Aktualitet | 1 vit më parë

Në kuadër të Future Hospitality Summit 2025 në Dubai, u hap pavijoni shqiptar i quajtur “Albanian Soundscapes”, një hapësirë e kuruar nga AKPT dhe AZHT, që është vlerësuar si një nga më të bukurit dhe më të mëdhenjtë mes 50 vendeve pjesëmarrëse.

Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhe, në një postim në rrjetet sociale, shprehu kënaqësinë për realizimin e një pavijoni që përfaqëson dashurinë e shqiptarëve për mikpritjen dhe dëshirën për t’i ftuar të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e së ardhmes turistike të Shqipërisë.

“Sot, në Future Hospitality Summit 2025 në Dubai, u hap pavijoni shqiptar “Albanian Soundscapes”, kuruar nga AKPT dhe AZHT, i cilësuar si një nga më të bukurit dhe më të mëdhenjtë mes mbi 50 vendeve pjesëmarrëse.

Koncepti i këtij pavijoni tregon Shqipërinë nga ana më e bukur e historisë dhe kulturës sonë, përmes destinacioneve, projekteve arkitekturore dhe muzikës së gdhendur në vinil, që bashkon traditën, shpirtin e vendit dhe vizionin tonë për zhvillimin e turizmit dhe mikpritjes.

Në Future Hospitality Summit, Shqipëria prezantohet si një histori suksesi dhe një ftesë për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e së ardhmes sonë turistike.

Jam vërtet i lumtur që ekipet realizuan një pavijon kaq të thjeshtë, të ngrohtë dhe përfaqësues, që flet për dashurinë me të cilën ne e mirëpresim çdo vizitor dhe partner”, shkruan Gonxhja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme