“3D” në RTSH- Debatet në Parlament pas raportimit të SPAK, deputeti i PD-së Baçi kritikon mbështetjen dhe heshtjen e mazhorancës: Bëri vetëm elozhe!

Raportimi i institucioneve të pavarura, me theks tek SPAK-u, ka qenë në qendër të debatit në emisionin “3D” në RTSH, nën moderimin e Alban Dudushit, ku u analizua sesi u zhvillua përballja në Kuvend.
Deputeti i PD-së Luan Baçi dhe ai i Lëvizjes ‘Bashkë’, Redi Muçi, shprehën shqetësimin për formën dhe përmbajtjen e seancës.
Luan Baçi (PD): Mazhoranca bën avokatin mbrojtës
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, kritikoi faktin që raportimi u zhvillua tani, duke argumentuar se ai duhej të ishte bërë në Parlamentin e kaluar pa arsye shtyrje.
Baçi theksoi se seanca mori një karakter formal, sepse mazhoranca u shfaq si “avokat mbrojtës” i institucioneve: “Kur mbaroi fjalën Dumani ata duartrokitën. Si ka mundësi të bëjnë avokatin mbrojtës?”
Sipas tij, opozita nuk e sulmoi Dumanin, por ngriti shqetësime reale, ndërsa kërkoi që shumica të ishte “në nivelin e të kërkuarit llogari”, në vend që të bënte vetëm “elozhe ndaj institucioneve të pavarura, sidomos ndaj SPAK-ut”.
Redi Muçi (‘Bashkë’): Absurditeti i pyetjeve të bllokuara
Edhe deputeti i Lëvizjes ‘Bashkë’, Redi Muçi, e konsideroi si absurd faktin që deputetëve nuk iu lejua të shtjellojnë pyetjet e tyre.
“PS nuk pati asnjë pyetje për kreun e SPAK. Kjo nuk është e natyrshme,” tha Muçi, duke shtuar se ky mungesë interesi nga ana e Partisë Socialiste është anormale.
Nga ana tjetër, Muçi vlerësoi se në seancë u konstatua një “sulm nga PD-ja”, i cili sipas tij, u duk më shumë si “kërkesa llogarie personale me një qasje në konflikt interesi”. Ai përfundoi duke theksuar se “SPAK ka ende shumë për të bërë në punën e saj.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




