Aleksandër Çipa në  misionin “3D”: Politika nuk e pranon shtatlartësinë e SPAK. Çdo çështje që heton ka efekt publik

Politikë | 1 vit më parë

Në emisionin “3D” në RTSH 1 me gazetarin Alban Dudushi, analisti dhe gazetari i njohur Aleksandër Çipa komentoi zhvillimet më të fundit në Kuvendin e Shqipërisë, ku kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, prezantoi raportin vjetor të SPAK për vitin 2024.

Çipa vlerësoi se të gjitha çështjet që heton SPAK janë me rëndësi të lartë për interesin publik, duke theksuar se “çdo çështje që ndiqet nga SPAK është me efekte dhe me pasojë për interesin publik”.

Sipas tij, qëndrimi i Dumanit gjatë raportimit në Kuvend ishte profesional dhe i ftohtë, pavarësisht nga tensioni emocional që shoqëron daljen para deputetëve.

 “Sot Dumani mbajti një qëndrim shumë të ftohtë, pavarësisht nga emocionaliteti që ka dalja para Kuvendit të Shqipërisë. Në të gjitha përgjigjet e veta ishte në ftohtësinë profesionale, madje dha dhe disa lajme”, u shpreh Çipa, duke nënvizuar qasjen institucionale të kreut të SPAK.

Çipa analizoi edhe raportin mes politikës dhe SPAK, duke theksuar se asnjëra palë politike nuk është realisht e interesuar për të pasur një SPAK të pavarur dhe të fuqishëm siç është sot.

“Politika në të dy kahët nuk është e interesuar për të pasur këtë SPAK që ka sot”, tha ai, duke shtuar se shpesh në media hidhen teza si “Republika e Prokurorëve”, ku nënkuptohet SPAK, ndërsa prokurorët e tjerë nuk kanë ndikim publik.

Në këtë kontekst, Çipa vuri në dukje se mazhoranca është e goditur dhe nuk ndjehet e qetë përballë veprimeve të SPAK.

 “Momentalisht mazhoranca shikon në vizionin e ndëshkimeve të ardhshme, nuk është e relaksuar”, deklaroi ai, duke sugjeruar se tensioni politik lidhet drejtpërdrejt me pritshmëritë për hetime të reja dhe ndëshkime të mundshme.

Në mbyllje të analizës së tij, Çipa theksoi se raportimi i Dumanit në Kuvend tregoi një realitet të qartë, qw asnjëra palë politike nuk është e gatshme të pranojë autoritetin e SPAK mbi autoritetin e tyre politik.

 “Gjatë zhvillimeve të sotme në Kuvend dhe raportimit të z. Dumani, konstatoj se të dy palët politike nuk mund ta pranojnë shtatlartësinë e SPAK mbi shtatlartësinë e tyre. Kjo është evidente dhe nuk ka pse e vëmë në dyshim”, përfundoi Çipa.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme