Prezantohet drejtuesi i ri i Portit të Durrësit, Liburn Aliu: Ta bëjmë konkurrent në gjithë rajonin

Aktualitet | 1 vit më parë

Në prezantimin nga ana e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku të drejtuesit të ri të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, ky i fundit theksoi se ky port bart një rëndësi të veçantë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë rajonin.

Aliu vuri në dukje se është e domosdoshme modernizimi i këtij porti dhe të jetë konkurrent për të gjithë rajonin.

“Kjo është një detyrë mjaft sfiduese. Porti i Durrësit nuk është vetëm  një port i Republikës së Shqipërisë është port i gjithë shqiptarëve, është port i rajonit. Është port që Kosova pjesën dërrmuese të mallrave e merr përmes portit të Durrësit. Gjysma e mallrave që shkojnë drejt Kosovës nëpër rrugën e Kombit, një pjesë shkojnë drejt Maqedonisë së Veriut, është e domosdoshme që ky port të modernizohet në shkallën që të jetë sfidues dhe të jetë konkurrent për të gjithë rajonin”, tha Aliu.

Sipas tij, për t’u realizuar modernizimi i këtij porti pasi në “aspektin gjeopolitik Maqedonia e Veriut por edhe Kosova si pika nga ku mallrat shpërndahen në të gjithë rajonin”.

 “Për tu realizuar kjo është e domosdoshme të shihet në aspektin gjeopolitik, të shihet Maqedonia e Veriut por edhe Kosova si pika nga ku mallrat shpërndahen në të gjithë rajonin. Kam pasur nderin që të punoj së bashku me zëvendëskryeministren në forume të ndryshme të rajonit, në Bruksel dhe kudo. Qasja që kemi bërë për të gjithë rajonin  na ka bërë që ne si dy vende të kemi një platformë mjaft të qartë për zhvillimin e transportin dhe modalitetin në të gjithë rajonin dhe kjo do ta bënte edhe Kosovën edhe Shqipërinë të ndërvarura me njëra-tjetrën”, deklaroi më tej Aliu.

Ai solli në vëmendje edhe aspektin e sigurisë që luan porti shqiptar nisur nga fakti që Shqipëria është edhe anëtare e NATO-s.

“Kosova ka nevojë të ketë lidhje të forta me portin e Durrësit në mënyrë që përmes saj të shpërndahen mallrat në gjithë rajonin.  Porti i NATO-s që do të jetë krahas portit të mallrave në Porto Romano do të ndihmojë gjithë rajonin që të ketë siguri. Është detyrë dhe sfidë që portin e NATO-s krahas portit të mallrave të ndërtohet ashtu siç duhet dhe të ketë lidhje komunikimi qoftë hekururdhore, qoftë automobilistike me gjithë rajonin”, shpjegoi Liburn Aliu.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme