Muzeu historik i shkollës Iballë, dokumenton historikun e arsimit në këtë zonë

Kulturë | 1 vit më parë

Muzeu historik i shkollës Shqipe në Iballë të Pukës, i ngritur pak kohë më parë, me përkujdesjen e financimin e kësaj zone, Ded Maluta, është i veçantë në llojin e tij, një nga më të mirët e arsimit në trevat tona. 

Mbase askund tjetër më mirë se në këtë muze nuk e “lexon” historinë e arsimit në Iballë. Figura të ndritura të dijës e atdhedashës, në vitin 1903 hapen këtu shkollën e parë shqipe.

Në hyrje të muzeut është vendosur dhe busti i Frrok Kol Pematit, iniciator e këmbëngulës i hapjes së shkollës shqipe, vepër e skulptorit Isa Baliaj, mjeshtër i madh.

Në këtë muze të Iballës, prek sadopak lashtësinë, njihesh me figurat e shquara të dala prej saj, si Mirakajt, Thaçët, Pematët etj.

Mes këtyre banorëve në fillimet e shekullit XX ishte dhe Franc Nopça, i cili është në fotografi me ta me veshjen tonë kombëtare. Historian e studiues japin vlerësim të veçantë për këtë muze.

“Ky është një muze arsimor me të vërtet shumë impresionues, dhe shërben si model edhe për shkollat e tjera. E veçanta e muzeut është që ka mbledhur në mënyrë kronologjike të gjitha”, u shpreh historiani Paulin Zefi.

“Ky muze është në lartësinë e asaj çka përfaqëson Iballa  në historinë e krahinës së Pukës, duke pasqyruar në mënyrë kronologjike periudhat historike”, tha historiani Julian Vlashi.

Ndonëse ka mbetur pak nxënës, shkolla ku është muzeu, për nga mjediset nuk dallon nga ato të Tiranës. Ky muze është vënë dhe në shërbim të guidave turistike për vizitorët e turistët e huaj që kalojnë në Iballë.

Gazetar: Rr.Lelçaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme