Letërporosi nga SHBA? Meta: Gënjeshtër e shpërndarë nga SPAK

Pas paraqitjes së provave të reja në seancën e sotme të GJKKO për kalimin ose jo të dosjes për gjykim, ka reaguar dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili thekson se nuk ka asnjë letërporosi që mund të provojë se ai ka shkelur ligjet shqiptare, amerikane apo ndërkombëtare.
Ai i konsideroi provat e reja nga SHMA si një mashtrim për justifikimin e paraburgimit të tij, të cilën e cilëson të paligjëm.
“Në respekt të anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dua të shpreh përbuzjen time publike për gjoja prova të reja që paskan ardhur nga “Amerika” pas përfundimit të hetimeve.
Kjo gënjeshtër e shpërndarë nga SPAK-u dhe prokurorët e provuar si shkelës të ligjit dhe kamikazë të Kryekleptokratit, Edi Rama është një mashtrim për të justifikuar paraburgimin tim të paligjshëm dhe kriminal, si dhe për t’u dhënë mandate të përjetshme kamikazëve që janë provuar si garantë të pandëshkueshmërisë së Edi Ramës dhe armiq të betuar të opozitës dhe pluralizmit politik.
Shpreh bindjen e plotë se asnjë letërporosi as ka ardhur dhe as mund të vijë që provon shkeljen e ligjeve shqiptare, amerikane apo ndërkombëtare nga Ilir Meta apo pasjen time dijeni për shkelje të tilla të kryera nga njerëz të tjerë në Shqipëri, SHBA apo kudo tjetër.
E kemi thënë edhe më përpara se gjithçka është fund e krye një mashtrim”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024 dhe ka bërë gjithashtu ankim edhe në Gjykatën e Lartë, e cila do ta shqyrtojë kërkesën më 9 tetor të këtij viti. Dosja e tij përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror, ku ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




