Alba Kokalari: Shqipëria është në një moment historik – Të gjithë në BE e duan si anëtare

Politikë | 1 vit më parë

Në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, që po zhvillohet në Tiranë, eurodeputetja shqiptaro-suedeze Alba Kokalari vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë fazë si një moment historik për vendin.

Ajo theksoi se mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë është e gjerë brenda institucioneve të BE-së dhe se vendi ndodhet në një pikë kyçe të procesit të integrimit.

“Është krenari që të jem këtu sot, në rrënjët e mia,” u shpreh Kokalari, duke iu drejtuar të dyja palëve politike në Kuvend – mazhorancës dhe opozitës – me thirrjen për bashkëpunim dhe përgjegjësi.

“Do të ju thoja të dyjave, edhe opozitës dhe mazhorancës, që jeni në një moment historik të Shqipërisë dhe këtë po e them jo vetëm si përfaqësuese e Suedisë, por edhe me gjithë zemër që kam për këtë vend.”

Ajo vuri në dukje se Shqipëria ka kaluar dekada të vështira nën shtypje dhe diktaturë, por tani ka mundësinë më të madhe për t’u rikthyer aty ku i takon – në Komunitetin Evropian.

“Për gjenerata, Shqipëria ka luftuar kundër shtypjes dhe tani ju e keni mundësinë më të madhe që Shqipërinë ta ktheni aty ku e ka vendin, në BE,” tha Kokalari, duke shtuar se “për disa vite ju mund të bëheni kolegët tanë në BE.”

Duke komentuar për dinamikat politike të brendshme, ajo përmendi edhe debatet e zgjatura në Kuvend, por i cilësoi si pjesë e një përpjekjeje legjitime për funksionimin institucional.

“E di që keni pasur debat deri në orën 2, është mirë që Parlamenti tenton që të funksionojë, por ajo që ju po tentoni të bëni tani, do të shkojë përtej mandatit tuaj,” tha ajo, duke nënvizuar se ky është një angazhim që do të ndikojë gjeneratat e ardhshme.

Kokalari theksoi se mbështetja për Shqipërinë në Bruksel është e jashtëzakonshme.

“Unë nuk kam parë një moment të tillë në BE, ku të gjithë e duan Shqipërinë në BE. Të gjithë në Bruksel flasin se duhet ta marrim Shqipërinë në BE-në dhe tani është në dorën tuaj,” tha ajo, duke i inkurajuar deputetët që të lënë pas mosmarrëveshjet politike dhe të fokusohen në miratimin dhe zbatimin e ligjeve.

“Kjo është një punë e mirëfilltë. Ju duhet të miratoni ligje dhe t’i zbatoni ato. E di që zbatimi nuk është i lehtë, se edhe ne në BE kemi probleme me zbatimin,” përfundoi Kokalari, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e veprimit konkret në rrugën e integrimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme