Vangjeli në “Trialog”: Të gjithë ishin kundër Dumanit, por për arsye të ndryshme

Politikë | 1 vit më parë

Në emisionin “Trialog” në RTSH 1, nën moderimin e gazetares Alba Alishani, u zhvillua një debat mbi raportimin vjetor të kreut të SPAK, Altin Dumani, përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Diskutimi mes analistëve Preç Zogaj, Arion Sulo dhe Lorenc Vangjeli solli një analizë të thelluar mbi performancën e SPAK gjatë vitit të fundit, me fokus në përpjekjet e institucionit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Vëmendja u përqendrua gjithashtu te niveli i transparencës në veprimtarinë e tij, duke reflektuar mbi sfidat, pritshmëritë dhe ndikimin që ky institucion ka në konsolidimin e drejtësisë në vend.

Analisti Lorenc Vangjeli analizoi përmbajtjen e raportit dhe reagimet politike që e shoqëruan, duke vënë në dukje se qëndrimet kritike ndaj Dumanit ishin të pranishme nga të dy krahët e politikës, por për arsye krejtësisht të ndryshme.

 “Të gjithë ishin kundër Dumanit, por për arsye të ndryshme”, tha ai, duke theksuar se opozita e djathtë e kishte konfliktin të lidhur me qëndrimin e SPAK ndaj liderit të tyre.

Sipas tij, “kriteri i vetëm ishte besnikëria ndaj Sali Berishës, sepse me përjashtim të një apo dy vetave, pjesa tjetër nuk ka material për SPAK , janë histori të vjetra dhe në kohën e qeverisjes së Sali Berishës kanë qenë nivel i dytë apo i tretë”.

Nga ana tjetër, Vangjeli vuri re se edhe në radhët e mazhorancës kishte një ndarje të qartë që sikurse tha ai,  “Gjysma nuk ka lidhje me SPAK sepse janë rishtarë, ndërsa pjesa tjetër ka shumë histori, madje i shmangeshin edhe vështrimit me Dumanit”.

Ai komentoi edhe atmosferën në sallë, duke vënë në dukje boshatisjen e tryezave të qeverisë.

“Shikoni kush mungonte dhe do të kuptoni edhe se çfarë ka në sirtarët e SPAK, të cilat ne nuk i shikojmë”, tha ai.

Në këtë kontest, duke analizuar gjithë zhvillimin e senacës së djeshme në sallën e Kuvendit, sipas tij, ajo që i bashkonte të dyja palët ishte mungesa e thellë e kuptimit për rolin e deputetit.

“Në një sistem parlamentar, ku parlamenti është pushteti qendror, pothuajse askush, të gjithë së bashku në sallë nuk u ngritën në nivelin e një reporteri që raportonte çdo ditë nga SPAK”, u shpreh ai, duke kritikuar mënyrën si u trajtua raportimi i Dumanit.

Ai shtoi se pyetjet e deputetëve ishin të motivuara nga kurioziteti për emra konkretë dhe jo nga një kuptim institucional i raportit.

“Askush nuk e kishte haberin të raportit të Parlamentit me një tjetër pushtet”, përfundoi Vangjeli, duke ngritur pikëpyetje mbi pjekurinë politike dhe funksionimin e mekanizmave parlamentarë në raport me institucionet e drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme