Vrau kuzhinierin te “Komuna e Parisit”-Policia kap autorin dhe del me njoftim zyrtar: 41-vjeçari, i dënuar më parë për mbajtjen e armëve të ftohta

Aktualitet | 1 vit më parë

Policia ka vendosur në pranga autorin e vrasjes së kuzhinierit në “Komunën e Parisit” , në kryeqytet ditën e djeshme.

Autori, 41-vjeç, është kapur në flagrancë nga policia pas ngjarjes ku dyshohet se vrau me mjet prerës 36-vjeçarin në ambientet e lokalit ku punonin të dy.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia e Tiranës jep edhe dinamikën e ngjarjes dhe motivin e krimit.  

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të ndodhur mes 41-vjeçar që punonte  si picier dhe kuzhinerit në nga lokalet e Komunës së Parisit.

Policia ka sekuestruar edhe thikën me të cilën dyshohet se autori kreu krimin e rëndë.

“Gjendet dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se u krye krimi. Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e  Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, theksohet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu policia ka dalë në përfundimin se nga verifikimet e mëtejshme “autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al./


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme