Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH: Nevojitet mbështetje më e madhe financiare, kemi vullnet për ta çuar përpara institucionin
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, në vijim të diskutimeve për pavarësinë dhe të ardhmen e transmetuesit publik, ka ngritur shqetësimin për mungesën e mbështetjes financiare që RTSH merr aktualisht.
Sipas Vasilit, Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe në Europë për sasinë e taksës që qytetarët paguajnë për transmetuesin publik.
“Jemi të fundit në rajon dhe në Europë sa i takon sasisë së taksës që paguhet. Më pak se një kafe në ditë paguan një qytetar për RTSH-në”, theksoi ajo.
Vasili u shpreh se pa një buxhetim më të fortë, RTSH nuk mund të forcojë misionin e vet publik dhe të përmbushë standardet që kërkon koha.
“Ne s’mund të kemi një RTSH më të fortë nëse nuk e buxhetojmë më fort”, deklaroi Vasili më tej duke nënvizuar se rritja e investimeve është kusht për zhvillim real. Në këtë kuadër, Vasili theksoi se RTSH synon të kërkojë mbështetje edhe nga Unionin Europian të Transmetuesve (EBU) dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, pasi të japë provat e para të suksesit.
“Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve tona me EBU-në dhe faktorë të ndryshëm, duke dhënë provat e menaxhimit të mirë, transparencës dhe vullnetit të plotë për ta çuar përpara këtë institucion“, përfundoi Vasili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




