Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili: Po rrisim standardin e transparencës së RTSH-së
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili në fjalën e saj në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias (MDF), deklaroi se është ngritur një grup pune i cili është i ngarkuar vetëm me transparencën.
Sipas saj, ky grup do të merret me publikimin online të të gjitha “vendimeve të Këshillit Drejtues, bordit të administrimit dhe sigurisht ato që mund të publikohen nga vendimet e menaxhimit, sepse jo gjithçka mund të publikohet.”
Ajo vuri në dukje se kur ka ardhur në krye të këtij institucioni ka evidentuar mungesën e rregulloreve përkatëse.
Në këtë mënyrë, sipas Vasilit, tashmë RTSH është përfshirë në hartimin e rregulloreve për të rritur standardin e këtij institucioni.
“Patjetër që pavarësia institucionale është e rëndësishme, pavarësia editoriale. Por të gjitha këto rregullohen nëpërmjet standardeve.
Një nga gjërat që kam parë në institucion është që mungojnë rregulloret, rregullorja e punës, kodi i etikës, mungon kodi i konfliktit të interesit, mungojnë rregulloret e brendshme të departamenteve, përplasja me njëri-tjetrin. Rregulloret nuk zgjidhin problemet e brendshme që ka dhe një nga punët e para që është dashur të bëjmë është se jemi përfshirë në hartimin e këtyre rregulloreve. Disa nuk ekzistonin, disa ishin shumë të vjetra, disa ishin në përplasje me njëra-tjetrën dhe kjo ishte një punë voluminoze për t’u bërë”, theksoi ajo.
Vasili theksoi më tej me ardhjen e saj në krye të këtij institucioni nuk ka gjetur në RTSH një praktikë transparencë dhe në këtë mënyrë po ngrihet grupi i punës që do të merret me këtë proces.
“Sigurisht që transparenca është shumë e rëndësishme, nuk kemi gjetur në institucion një praktikë transparence edhe këtë duam ta krijojmë.
Po krijojmë një grup i cili do të jetë i ngarkuar vetëm me transparencën, çka do të thotë me publikimin online të të gjitha vendimeve të Këshillit Drejtues, bordit të administrimit dhe sigurisht ato që mund të publikohen nga vendimet e menaxhimit, sepse jo gjithçka mund të publikohet.
Ka shifra që kanë të bëjnë me sekrete tregtare etj., por gjithçka që mund të publikohet do të ngarkohet ky grup, i cili ka filluar punën”, deklaroi drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili në fjalën e saj në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias (MDF).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




