Proda: Barazia gjinore, themel për besimin e qytetarëve në Policinë e Shtetit

Në kuadër të konferencës “Gratë dhe të rinjtë në qendër të sigurisë komunitare dhe parandalimit të ekstremizmit”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i pranishëm në këtë aktivitet ritheksoi angazhimin institucional për fuqizimin e grave në radhët e Policisë, duke e cilësuar këtë si një investim strategjik në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Fuqizimi i grave në polici nuk është vetëm çështje barazie gjinore, por një investim në etikën, profesionalizmin dhe humanizmin e shërbimit tonë,” deklaroi Proda, duke theksuar se gratë përfaqësojnë kurajën, integritetin dhe aftësinë për të balancuar forcën me ndjeshmërinë.
Në fjalën e tij, Proda vuri në dukje se Policia e Shtetit ka përqafuar frymën e Rezolutës 1325 të OKB-së, e cila këtë vit shënon 25-vjetorin.
“Kjo rezolutë është një thirrje për veprim dhe për përfshirje të grave në vendimmarrje. Ne po e kthejmë këtë frymë në realitet përmes Planit të Veprimit dhe politikave që nxisin barazinë në karrierë,” tha ai.
Sipas tij, në vitet e fundit, janë ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar mundësi të barabarta për gratë në funksione operacionale dhe drejtuese, qw sikurse tha ai- shumë prej tyre janë promovuar përmes konkurrimit të hapur në pozita si shefe sektori, komisare, drejtuese drejtorish apo koordinatore rajonale.
“Besimi i komunitetit në uniformë është sfida jonë më e madhe,” tha Proda, duke nënvizuar se prania e grave në polici përmirëson marrëdhënien me qytetarët dhe ndihmon në ndërtimin e rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin e Planit Kombëtar për Agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, duke mbështetur gratë në polici përmes trajnimeve, zhvillimit të karrierës dhe përfshirjes aktive në fushat operacionale dhe hetimore.
“Policia e Shtetit është pjesë e zbatimit të Planit Kombëtar për Agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, dhe ne do të vijojmë të mbështesim nisma që fuqizojnë rolin e punonjëseve të policisë, përmes programeve të zhvillimit të karrierës, trajnimeve dhe përfshirjes aktive në fushat operacionale, hetimore dhe drejtuese.
E ardhmja e Policisë së Shtetit është gjithëpërfshirëse,” përfundoi Proda. “Ne duam që çdo grua e vajzë që zgjedh këtë profesion të ndjejë se ka hapësirën për t’u rritur, për të kontribuar dhe për të udhëhequr.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



