Ambasadori i BE-së, Gonzato: Vetingu mbetet “shtylla kurrizore” e reformës, finalizimi në qershor 2026 është thelbësor

Aktualitet | 1 vit më parë

Procesi i vettingut (rivlerësimit) në Shqipëri mbetet “shtylla kurrizore” e reformës në drejtësi dhe finalizimi i tij brenda afatit kushtetues është “një hap themelor” në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Këtë theksoi sot Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një vizite në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).

Ambasadori Gonzato u takua me Kryetarin e KPA-së, Sokol Çomon, ku u shkëmbyen mendime mbi ecurinë e procesit. BE i ka vendosur një afat simbolik KPA-së, duke theksuar rëndësinë e përfundimit të të gjitha aktiviteteve të Vettingut përpara qershorit 2026, datë kur skadon mandati kushtetues i këtij mekanizmi.

Mbështetje për ONM

Gjatë deklaratës së tij, Ambasadori Gonzato theksoi mbështetjen e palëkundur të Bashkimit Evropian për Vettingun dhe për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Ai dënoi ashpër sulmet e fundit ndaj misionit monitorues: “Sulmet e fundit të pajustifikuara dhe dezinformimi ndaj ONM-së dhe vëzhguesve të saj ndërkombëtarë janë të papranueshme dhe synojnë të minojnë besimin te sistemi i drejtësisë dhe reforma në drejtësi,” deklaroi Gonzato.

Përfundimi i vettingut në afatin ligjor është një kërkesë e vazhdueshme e Brukselit për të çelur kapitujt e tjerë të anëtarësimit.

Takimi në KPA nënvizon rolin që ky institucion luan si faza përmbyllëse e këtij procesi reformues themelor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme