SHBA ul tarifat ndaj Pekinit, Trump: Po shkojmë drejt një marrëveshjeje të gjerë tregtare

Shtetet e Bashkuara kanë ulur tarifat për mallrat kineze, në shenjë përparimi drejt një marrëveshjeje të re me Pekinin. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Pekini janë “në marrëveshje për shumë gjëra”, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve tregtare mes dy fuqive botërore.
“Duke hyrë në fuqi menjëherë, SHBA-të do të ulin tarifat për të gjitha mallrat kineze të miratuara më parë, si përgjigje ndaj angazhimit të Kinës për të ndalur fluksin e përbërësve kimikë për fentanilin drejt SHBA-së,” tha Trump pas takimit historik me presidentin kinez Xi Jinping në Busan, Korenë e Jugut.
Trump shtoi se Kina do të nisë menjëherë blerjen e sasive të mëdha të sojës amerikane, një sinjal i qartë i përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike. “E vlerësova shumë këtë gjest,” theksoi ai.
Fluksi i metaleve të rralla të tokës ka qenë një pikë kyçe mosmarrëveshjeje midis SHBA-së dhe Kinës.
Pekini mban monopolin mbi përpunimin e mineraleve kritike dhe e ka forcuar kontrollin e tij mbi eksportet e metaleve të rralla në javët e fundit.
“I gjithë problemi i metaleve të rralla është zgjidhur dhe kjo është për botën… Kjo ishte një situatë mbarëbotërore dhe jo vetëm një situatë e SHBA-së. Nuk ka më asnjë pengesë nga Kina”, u tha Trump gazetarëve.
Gjatë takimit me Xi, Trump deklaroi se dy vendet kanë bërë përparim të madh në çështje kyçe si tregtia, metalet e rralla dhe lufta kundër fentanilit. Ai e quajti takimin “një sukses të madh” dhe “një hap drejt një epoke të re bashkëpunimi” mes SHBA-së dhe Kinës.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se planifikon të vizitojë Pekinin në prill, ndërsa Xi pritet të vizitojë SHBA-në më vonë gjatë vitit, ndoshta në Uashington DC ose në Palm Beach, Florida.
Delegacioni kinez deri tani nuk ka dhënë detaje mbi përmbajtjen e marrëveshjes, ndërsa Xi do të qëndrojë në Korenë e Jugut për një vizitë shtetërore dhe për të marrë pjesë në samitin e APEC-ut.
Trump u shpreh se një marrëveshje tregtare gjithëpërfshirëse me Kinën mund të nënshkruhet “shumë shpejt”, duke theksuar se “marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës janë më të forta se kurrë” dhe se “ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri ekonomik mes dy vendeve”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




