Ministrja Ibrahimaj thekson rritjen e pjesëmarrjes femërore në startup-e: Vetëm në programin e granteve për startup-e, 43% e fituesve janë gra

Ekonomi | 1 vit më parë

Panairi vjetor “EXPO Women 2025” u zhvillua sot, ku mbi 70 sipërmarrëse nga të gjitha qarqet e Shqipërisë prezantuan produktet dhe projektet e tyre, duke ilustruar kështu rolin kyç të grave si “forcë e vërtetë zhvillimi” për ekonominë kombëtare.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi lart mbështetjen e qeverisë dhe vuri në dukje progresin në barazinë gjinore në sipërmarrje.

Ministrja Ibrahimaj e nxjerr këtë progres në pah përmes një statistike: “Vetëm në programin e granteve për startup-e, 43% e fituesve janë gra, një tregues i qartë se barazia në mundësi po kthehet në një realitet të prekshëm,” deklaroi ajo.

Ajo theksoi se falë politikave të qëndrueshme, gjithnjë e më shumë gra po krijojnë, investojnë dhe udhëheqin në sektorë të ndryshëm.

Ministrja nuk la pa përmendur edhe kontributin e partnerëve ndërkombëtarë. Ajo vlerësoi bashkëpunimin me UN Women, si dhe mbështetjen financiare dhe teknike nga qeveritë e Suedisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, për nxitjen e pjesëmarrjes ekonomike të grave.

Panairi i këtij viti, sipas Ministres, përforcon vizionin që gratë janë motori i inovacionit dhe i zhvillimit të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare, duke sjellë zhvillim dhe jetë të re në komunitete anembanë vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme