Raporti i Avokatit të Popullit, Ballanca: Gjatë 2024 rritëm rekomandimet, por duhen më shumë burime financiare për zbatimin e tyre

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka theksuar se gjatë vitit 2024 është thelluar roli i monitorimit të këtij institucioni, krahasuar me vitin 2023. Ajo nënvizoi se ka pasur përparim të dukshëm në adresimin e rasteve individuale dhe iniciativave, si dhe ka lëshuar më shumë rekomandime për përmirësimin e kushteve dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
“Avokati i Popullit gjatë 2024 kemi thelluar rolin e monitorimit krahasuar me 2023 dhe kemi ecur para duke adresuar shumë më tepër raste individuale dhe me iniciative dhe ka bërë më shumë më tepër rekomandime. Përshëndes hapin e rëndësishëm për krijimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe mediat e Informimit Publik, një shenjë pjekurie demokratike në këtë legjislature të re”, tha Ballanca.
Gjatë këtij viti, Avokati i Popullit ka adresuar gjithsej 300 rekomandime drejtuar organeve të administratës publike, por Ballanca theksoi se një sfidë e madhe mbetet zbatimi i tyre.
Ballanca theksoi se një nga pengesat kryesore për zbatimin e rekomandimeve është mungesa e burimeve financiare, veçanërisht në sektorë si burgjet dhe Policia e Shtetit.
“Gjatë 2024, Avokati i Popullit ka adresuar në total 300 rekomandime drejtuar organeve të Administratës Publike. Sfidë jo e vogël është pikërisht zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit ku vetëm 23 % e tyre janë të zbatuar plotësisht, ndërsa 40% ndonëse janë të pranuar nuk kanë gjetur zbatim tërësor. Vetëm 7 % e rekomandimeve janë refuzuar. Duhen burime financiere për t’i zbatuar rekomandimet sidomos në burgje dhe policinë e shtetit, që kanë dhe numrin më të lartë të rekomandimeve të pranuara por zbatimi has pengesa sa i përket zbatimit për arsye financiare”, tha Ballanca.
Ballanca theksoi se një tjetër zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit 2024 ka qenë fillimi i punës për hartimin e ligjit të ri për Avokatin e Popullit, i cili synon jo vetëm një rishikim teknik të ligjit ekzistues, por dhe një forcim të pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të institucioneve.
“Viti 2024 solli zhvillime domethënëse ku nisëm punën për ligjin e ri për Avokatin e Popullit që nuk është thjesht një rishikim teknik por një përpjekje për një institucion shumë më të pavarur, më shumë përgjegjësi dhe më shumë efektivitet. Qytetarët të kenë garanci për mbrojtje më të qëndrueshëm të të drejtave të tyre”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




