Raporti vjetor i RTSH për 2024, Hoxhalli: Mosrealizimi i planit financiar krijoi presion. U përballëm me 84 çështje gjyqësore
Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Fatjon Hoxhalli, gjatë prezantimit të raportit vjetor në Kuvend, vuri theksin te sfidat ekonomike dhe strukturore me të cilat përballet RTSH.
Në prezantimin e raportit vjetor të RTSH për vitin 2024, Fatjon Hoxhalli u ndal në disa nga pikat më të rëndësishme të funksionimit të institucionit, duke përfshirë aspektin ekonomik, sfidat strukturore dhe rolin e RTSH në jetën kulturore të vendit.
Ai theksoi rëndësinë e Orkestrës Simfonike të RTSH, duke e cilësuar si një nga shtyllat më të rëndësishme artistike të institucionit.
Pavarësisht rikonstruktimit të plotë të sallës së orkestrës dhe zgjerimit të aktivitetit artistik, kjo strukturë ka ende nevoja të konsiderueshme për mbështetje financiare dhe logjistike për të ruajtur dhe zhvilluar rolin e saj elitar në jetën kulturore të vendit. Në qendër të veprimtarisë muzikore për vitin 2024 qëndroi edhe Festivali i 63-të i Këngës, i cili pati një performancë që rezonoi me një prezantim shumë të mirë të Shqipërisë në Eurovizion.”
Duke kaluar në analizën ekonomike, Hoxhalli tha se “Gjatë vitit 2024, RTSH realizoi të ardhura totale në vlerën prej 2.24 miliard lekëve, ose thënë ndryshe vetëm 81% të planit vjetor që ishte parashikuar në buxhet. Ky mosrealizim i planit krijoi presion financiar në të gjithë zinxhirin funksional të institucionit, pasi shumë shpenzime duhej të rishikoheshin dhe prioritarizoheshin. Në krahun tjetër të bilancit, RTSH realizoi shpenzime totale prej 2.27 miliard lekësh, ose 82.3% të planit vjetor të shpenzimeve. Aktualisht, shuma e ekspozimit ndaj detyrimeve gjyqësore për largime të padrejta nga puna, sipas vendimeve të gjykatës, arrijnë në 228 milion lekë, që lidhen me 84 çështje gjyqësore, që një pjesë është ende në proces..”
Ai shtoi se një barrë e konsiderueshme financiare për RTSH-në janë detyrimet gjyqësore të krijuara nga vendimet për largime të padrejta nga puna.
“Aktualisht, shuma e ekspozimit ndaj detyrimeve gjyqësore për largime të padrejta nga puna, sipas vendimeve të gjykatës, arrijnë në 228 milion lekë, që lidhen me 84 çështje gjyqësore. Një pjesë është likuiduar. Përveç këtyre, në buxhetin e RTSH rëndojnë edhe 160 milion lekë të tjera të krijuara nga vendime gjyqësore për çështje të tjera administrative…”
Hoxhalli vuri në dukje edhe një tjetër barrë financiare që lidhet me pagesat e prapambetura.
“Një tjetër barrë financiare e konsiderueshme janë pagesat e prapambetura që kapin shifrën rreth 378 milion lekë, të krijuara kryesisht për shkak të mungesës së likuiditetit dhe parashikimeve buxhetore jo të sakta.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




