Analistët përplasin pikëpamjet për hetimin e Ballukut: Bregu e shikon si goditje të madhe, Beqiri e kritikon si “Gjueti Shtrigash”

Në emisionin “3D” në RTSH, nisja e hetimit penal nga SPAK ndaj Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shndërrua në një debat të ashpër mes analistëve mbi rëndësinë dhe motivimin politik të këtij hapi.
Analisti Zylyftar Bregu vlerësoi se rasti i Ballukut është më i madh se ai i Veliajt, duke pasur parasysh pozicionin e fuqishëm të ministres.
“Kemi të bëjmë me një ministre që ka shumë fuqi. Është goditja më e madhe e SPAK. Ballukun e godasin veprimet e saj. Nuk mendoj se ka prapaskenë politike. Hetimet kanë nisur si procedurë normale,” tha Bregu.
Beqiri: “Gjueti Shtrigash”
Avokati Idajet Beqiri pati një qëndrim thellësisht kritik ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar hetimin si një “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht.
“Po merret me ata që janë të urtë dhe jo me ata që bërtasin dhe e cilësojnë SPAK organizatë kriminale,” u shpreh Beqiri, duke argumentuar se Prokuroria duhet të merrej me “krime kundër njerëzimit” të viteve ’97, Gërdecit apo 21 Janarit. Sipas tij, SPAK po godet “nën ndikimin e politikës vrastare” dhe brenda saj “sundon fryma e Berishës“.
Kalaja: Rama në qendër të “katastrofës” së qeverisjes
Gazetari Aulon Kalaja e lidhi hetimin e Ballukut (për Tunelin e Llogarasë) me pozicionin e Kryeministrit Edi Rama.
“Rama ka ndërtuar një nga katastrofat e tij më të mëdha të qeverisjes, pasi dy personazhet kryesore të tij janë para drejtësisë,” tha Kalaja.
“Ai është një njeri që nuk do dysha“, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




