U merrte para qytetarëve për të kryer ekot, arrestohet mjeku imazherist në Fier

Aktualitet | 1 vit më parë

Një mjek imazherist në spitalin e Fierit u arrestua pasi u merrte para qytetarëve për të kryer ekot. Sipas njoftimit të policisë, mjeku 66-vjeçar, gjithashtu shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.

Hetimet ndaj tij kishin nisur prej katër muajsh, ku u kap në flagrancë duke i marrë lekë një pacienti, ndërsa në shtëpi iu gjetën rreth 2 milionë lekë të rinj, rreth 40 mijë euro, mbi 2 mijë paund dhe dollarë.

“Për këtë rast, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr. 929, datë 01.07.2025, për veprat penale të dyshuara “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, hetim i cili pas 4 muajsh u finalizua me arrestimin në flagrancë të G.T., 66 vjeç, banues në Fier.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma e lekëve që 66-vjeçari i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin si edhe shuma prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës”, thuhet në njoftim e policisë.

Mjeku imazherist akuzohet për veprën penale të dyshuar “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme