Homazhet për Fatos Nanon nesër në Tiranë – Kryeministria publikon detajet e ceremonisë shtetërore

Aktualitet | 1 vit më parë

Shqipëria do të jetë nesër, më 2 nëntor, në ditë zie kombëtare dhe flamujt në të gjitha institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë-shtizë, në nder të ish-Kryeministrit Fatos Nano, një prej figurave kyçe të tranzicionit politik dhe institucional të vendit gjatë 30 viteve të fundit.

Institucioni i Kryeministrisë ka publikuar programin e ceremonisë, e cila do të zhvillohet sipas një protokolli të detajuar shtetëror, me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve më të larta të shtetit dhe Trupit Diplomatik.

Ceremonia shtetërore do të shoqërohet nga elementë zyrtarë të nderimit, përfshirë homazhe, kortezh shtetëror dhe mbajtje fjalimesh nga personalitete të larta të shtetit. Në orën 12:00 të mesditës, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje.

Kryeministri Edi Rama pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse rreth orës 12:20, ku do të vlerësojë rolin e Fatos Nanos në konsolidimin e shtetit demokratik dhe në proceset politike që shënuan rrugën e Shqipërisë drejt orientimit perëndimor, si dhe kontributin e tij në drejtimin e Partisë Socialiste në periudha të vështira.

Kujtojmë se më 25 gusht 2023, Kryeministri Rama e nderoi ish-Kryeministrin Nano me medaljen e “Mirënjohjes Publike”, klasa I, “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij të veçantë në ngritjen e institucioneve demokratike, promovimin e tolerancës politike dhe rolin vendimtar në momente të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kombëtare.

Kjo është medalja më e lartë shtetërore që akordohet nga Kryeministri.

Programi i ceremonisë:

  • 08:30 – Fillimi i homazheve publike
  • 11:00 – Përfundimi i homazheve publike
  • 11:15 – Homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të Trupit Diplomatik
  • 12:00 – Ceremonia funebre e lamtumirës, në prani të autoriteteve të larta shtetërore dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik

Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër do të përcjellë trupin e të ndjerit për në banesën e fundit, në një ceremoni private familjare.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme