Petro Koçi homazhe për Fatos Nanon: Patriot, ringriti shtetin pas ’97, por kontribuoi edhe për UÇK-në
Në homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, Petro Koçi ka përkujtuar kontributin e tij për Shqipërinë dhe rajonin.
Koçi e përshkroi Nanon si një figurë me shpirt socialdemokrat, i përkushtuar për të ringritur vendin pas krizës së vitit 1997 dhe për ta kthyer në një shtet normal dhe qytetar. Ai theksoi intelektin dhe qytetarinë e pakonkurueshme të ish-kryeministrit, duke përmendur edhe përballimin e sfidave politike me Sali Berishën.
“Me shpirt socialdemokrat, Fatos Nano ishte gjithmonë i përkushtuar për zhvillimin e Shqipërisë, duke e nxjerrë nga gjurmët e vitit ’97 dhe duke e kthyer në një qytet normal dhe qytetar. Ishte dhe mbeti një person me intelekt dhe qytetari të pakonkurueshme, i cili përballoi me dinjitet politikën e egër të burgosjes të Sali Berishës”, tha Koçi.
Sipas Koçit, Nano ishte një patriot i madh, i cili jo vetëm që ringriti shtetin pas ’97, por kontribuoi edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Fatos Nano ishte një patriot i madh, ai jo vetëm që ringriti shtetin e rrënuar në ’97, por i dha edhe shpirt çlirimtar dhe armë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Takimi i përfolur me Millosheviçin duhet të shihet si një paradhomë e marrëveshjes së Rambujesë, ishte shembull i diplomacisë dhe kurajës shtetëror, një takim i koordinuar me partnerët tanë gjeopolitikë”, tha Koçi
Homazhet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, me pjesëmarrjen e figurave politike dhe qytetarëve që duan t’i japin lamtumirën e fundit ish-kryeministrit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




