Djali i Fatos Nanos, Sokol Nano: Ishte kalorës dhe e donte demokracinë si frymë dhe jo si slogan
Në ceremoninë shtetërore të homazheve në nder të ish-kryeministrit dhe themeluesit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, djali i tij, Sokol Nano, mbajti një fjalim prekës, ku shprehu mirënjohje për nderimet dhe përkujdesjen që iu tregua babait të tij në ditët e fundit.
“Jam thellësisht i prekur nga përkujdesja që ka ndjerë nga ju për babin tim në këto ditë të vështira. Në emër të familjes, ju shpreh mirënjohjen shqiptarëve kudo që ndodhen. Sot Fatos Nano, babai, bashkëshorti, miku, lideri ikën nga kjo botë fizikisht,” tha Sokol Nano.
Ai e përshkroi të atin si një njeri vizionar, që i qëndroi besnik parimeve të demokracisë dhe lirisë.
“Im atë ishte i pari që më foli për demokracinë. I pari që nuk e kishte frikë humbjen sepse ishte një kalorës. Ai më mësoi garën e vërtetë, udhëheqjen si përgjegjësi, ringritjen. Ishte njeri shumëdimensional, më foli për gjithçka, Shqipërinë evropiane dhe lirinë, sepse ai e donte demokracinë si frymë dhe jo si slogan,” tha ai.
Sokol Nano theksoi se babai i tij ishte një njeri i drejtë, tolerant dhe i aftë të bashkonte përmes dialogut, duke e përkufizuar si një burrë shteti që jetoi për idealet e tij.
“Ishte i butë dhe tolerant me këdo që mendonte ndryshe. Brilant në argument. I ashpër dhe i drejtë kur kërkohej vendim dhe kurajo. Sot i them lamtumirë tim eti dhe faleminderit për trashëgiminë e vyer që na la. Do ta kujtojmë si baba, si shok dhe si burrë i madh shteti që vuri përgjegjësinë përballë vetes,” përfundoi Sokol Nano.
Ceremonia u zhvillua në Tiranë, në prani të personaliteteve më të larta të shtetit, përfaqësuesve të partive politike dhe familjarëve, që i dhanë lamtumirën përfundimtare një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




