“Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE po merr shpejtësi”, Bergner: Bujqësia, një nga motorët kyç për zhvillimin ekonomik e territorial
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, organizuar në kuadër të 74-vjetorit të themelimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
Në fjalën e tij, diplomati gjerman theksoi rëndësinë e bujqësisë si një sektor strategjik pa alternativë, që luan një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik, social dhe territorial të Shqipërisë.
“Duan mendje të zgjuara për të shoqëruar bujqësinë në një epokë të re. Bujqësia nuk mund të cilësohet si sektor i vjetër, por si ajo që ushqen botën dhe garanton të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë“, deklaroi Bergner.
Sipas ambasadorit gjerman, më shumë se 30 për qind e popullsisë shqiptare jeton nga bujqësia, e cila mbetet burim jetik punësimi, veçanërisht për komunitetet rurale dhe kontribuon ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.
“Bujqësia është një nga motorët kryesorë që do të formësojë zhvillimin ekonomik dhe territorial të Shqipërisë”, shtoi ambasadori, duke nënvizuar se sektori ndihmon në uljen e pabarazive dhe krijimin e të ardhurave në zonat më të margjinalizuara.
Ambasadori Bergner vlerësoi gjithashtu rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se ky proces po fiton dinamikë të re dhe hap mundësi të mëdha për fermerët dhe bizneset bujqësore.
“Anëtarësimi në BE është një proces që transformon të gjithë shoqërinë shqiptare. Ai do të sjellë mundësi të reja për fermerët, por gjithashtu edhe sfida. Do të jetë një rrugëtim i vështirë, me fitues dhe njerëz që mund të humbasin”, tha ai.
Bergner vlerësoi organizimin e konferencës ndërkombëtare në Tiranë si një shembull të përkushtimit akademik dhe institucional, që e pozicionon kryeqytetin shqiptar si një qendër të rëndësishme për diskutimet globale mbi bujqësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Kjo konferencë rikonfirmon rolin e Tiranës si një vend që pret takime ndërkombëtare në sektorë kyç, si bujqësia, energjia dhe teknologjia”, përfundoi ambasadori gjerman.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




