Balla: Sot në mesnatë mbyllet afati për dorëzimin e kandidaturave për Avokatin e Popullit. Opozita të ulet me ne për zgjedhjen e emrit

Politikë | 12 muaj më parë

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në fjalën e tij për media pas përfundimit të mbledhjes së grupit, ka bërë me dije se kandidatët që kanë shprehur interes për detyrën e Avokatit të Popullit kanë afat deri sot në orën 12:00 të natës. Balla sqaroi se nga dita e nesërme, Kuvendi shpall listën e personave që ka në shprehur interes, dhe më pas kjo listë i shkon për shqyrtim komisionit përgjegjës.

Balla i bëri thirrje opozitës që të ulen së bashku me mazhorancën për të zgjedhur kandidaturën e duhur për pozicionin e Avokatit të Popullit.

“Zgjedhja e avokatit të popullit. Prej 3 vitesh nga përfundimi i mandatit të avokatit aktual s’është zgjedhur pasardhësi. Kjo ishte temë dhe në seancën e fundit të parlamentit.

Komisioni përgjegjës ka bërë shpalljen. Qytetarët që plotësojnë kriteret, të mos jenë të dënuar, të kenë eksperiencë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, të mos jetë deputet në legjislaturën aktuale, deri sot në orën 12:00 të natës të shprehin interesin.

Nga nesër dhe për pasojë kërkesat që vijnë me postë , nga nesër Kuvendi do publikojnë listën e personave që kanë shprehur interesin. Lista i shkon komisionit përgjegjës.

Në atë moment, propozimi im në emër të grupit, është që ajo që nuk ka ndodhur në këto 3 vite, të ndodhë, qoftë në komision, konferencë kryetarësh, të ulemi me opozitën e të zgjedhim kandidaturën për avokatin e popullit”, deklaroi Balla.

Ky i fundit theksoi se PS nuk ka një emër, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e opozitës për zgjedhjen me konsensus të kandidatit për avokat të popullit.

“Partia Socialiste nuk e ka sot një emër për shkak se jemi ende në fazën që po shprehin interesin. Të gjithë ata se mendojnë se mund të japin kontributin e tyre për Avokat Populli, fokusi është për 3 grupet parlamentare të opozitës, propozimi im është institucionalizimi i një komunikimi opozitë dhe maxhorancë në funksion të dhënies fund të kësaj situate të papranueshme dhe që Kuvendi s’e ka zgjedhur ende”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme