Katër zyrtarë në Shkodër nën hetim për shpërdorim detyre – AMP ekzekuton masat e sigurisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj një efektivi policie dhe tre punonjësve të IMT-së në Vau të Dejës, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Masat u caktuan nga Gjykata e Shkodrës pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, ku u zbulua se disa ndërtues po favorizoheshin në mënyrë të paligjshme nga zyrtarët e përfshirë.
Të dyshuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Bëhet fjalë për një punonjës policie dhe tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Vau i Dejës.
Personat e përfshirë janë A.D., me detyrë nën/specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Vau i Dejës; D.LL., me detyrë inspektor pranë IMT-së; J.H., me detyrë inspektore pranë IMT-së; dhe M.L., me detyrë përgjegjës pranë IMT-së.
Të katërt janë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Konkretisht, ndaj tyre është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas AMP-së, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




