Hetimet për Tunelin e Llogarasë, Berisha: Është aferë korruptive, qytetarët të ngrihen në protesta

Politikë | 12 muaj më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama për një “afere korruptive” lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Sipas Berishës, ministrja Belinda Balluku, ka qenë vetëm një “mashë” për realizimin e kësaj afera, e cila, sipas tij, u ka kushtuar qytetarëve shqiptarë rreth 90 milionë euro më shumë se parashikimi fillestar.

Berisha tha se Rama ka vendosur anulimin e tenderit të parë dhe shpalljen e fituesit të tenderit të dytë, një kompani turke, me një kosto 50 milionë euro më e lartë se oferta e kompanisë së parë. Sipas tij, kjo kompani nuk mund të ishte nënkontraktore ligjërisht, por u përzgjodh nga vendimi i kryeministrit.

“Kumbullat dhe dardhat i ha Edi Rama, të tjerëve u hedh bishtat nga mbrapa. Tuneli i Llogarasë është kryekëput një nga aktet madhore korruptive direkt të Edi Ramës. Lubi Balluku është thjesht masha e tij për realizimin e kësaj afere, që u ka kushtuar qytetarëve shqiptarë jo 50, por 90 milionë euro më shumë se sa ç’ishte parashikuar. Është Rama dhe vetëm Edi Rama ai që ka përcaktuar anulimin e tenderit të parë, shpalljen e tenderit të dytë dhe shpalljen fitues të kompanisë turke me një shumë 50 milionë më shtrenjtë se sa kompania që do të ndërtonte tunelin e Llogarasë. Kompani, e cila me përcaktim ligjor, nuk mund të ishte nënkontraktor sepse e kishin skontuar”, tha Berisha.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë ndaj qeverisjes aktuale dhe të japin “verdiktin përfundimtar” ndaj kryeministrit.

“Ndaj qytetarë, gjithçka është e qartë para jush, është fjala juaj, është vullneti juaj për t’i dhënë verdiktin përfundimtar këtij hajduti që kombi nuk e ka pasur në gjithë historinë e tij. Pra, aktakuza lexon Belinda Balluku, por në fakt në moral, në germë dhe çdo gjë është kundër Ramaduros, kundër Edi Ramës. PD do ngrihet e tëra.Në qoftë se nuk ngrihemi, ikën njëri, vjen tjetri dhe ju do vidheni gjithnjë e më shumë. Rruga e vetme është të ngrihemi, t’i japim duart këtij regjimi që nuk ka Kushtetutë, nuk ka kod, nuk ka moral, por që vjedh në mënyrë të tmerrshme paratë e taksave tuaja”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme