Mandarinat me pesticide, ekspertja Vuksani: Konsumatori shqiptar i ekspozuar ndaj rrezikut ushqimor
Siguria ushqimore dhe bllokimet e ushqimeve me pesticide mbi normat e lejuara janë kthyer shpesh në tema diskutimi në shoqëri dhe mediat publike, pikërisht se si mund të parandalohen këto raste. Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani, ngriti shqetësimin për mungesën e kontrollit dhe transparencës në zinxhirin ushqimor.
“Produkte të tjera ka përveç mandarinave se ne njoftohemi vazhdimisht që kanë pesticide mbi normat e lejuara por ka edhe pesticidet që nuk lejohen nga BE. U informuam për rrushin, pjeshkat, ata nuk ishin prodhim vendas por ishin importe. Harta e llojeve dhe produkteve është shumë më e gjerë se mandarinat. Ne diskutojmë për mandarinat se është sezoni i tyre dhe kjo pëlqehet shumë nga fëmijët dhe duke marrë parasysh rrezikun që ka në shëndet në të gjitha moshat”, u shpreh Vuksani.
Ekspertja theksoi se mbetjet e pesticideve nuk hiqen as me larje, as gjatë përpunimit, pasi ato kalojnë nga fruti deri në produktin përfundimtar.
“Problemi më i madh për mua është e para një viti janë bërë analizat e vajit të ulliri dhe mbetjet e pesticideve po komprometojnë edhe atë produkt që ne mburremi me cilësinë e vajit të ullirit,. Mbetjet e pesticideve nuk hiqen as me larjen e produktit as gjatë procesit të përpunimit por ato mbeten atje dhe derivojnë nga fruti deri në produkt. Nga analizat e bëra kishte mbetje të pesticideve dhe në këtë rast nuk diskutohet më cilësia por siguria është i shëndetshëm apo jo,” shtoi Vuksani.
Ekspertja akuzon institucionet përgjegjëse për mungesë veprimi dhe koordinimi.
“Përgjegjës për sigurinë ushqimore është Ministria e Bujqësisë që ka institucionet e varësisë që është AKU që ka detyrim që nga momenti që përpunohet deri sa del te konsumatori dhe AKVMB (Autoriteti i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve) është përgjegjës për kontrollin në nivel ferme. I gjithë ky zinxhir janë dy institucionet dhe më pas vjen laboratori ISUV që bën analizat e produkteve. Kjo nuk është e mjaftueshëm. Progres raporti i djeshëm theksoi se nuk ka asnjë progres në menaxhimin efektiv të sigurisë ushqimore, produktet shtazore kanë probleme të renda sa i përket gjurmimit, ka mungesë të kapaciteteve laboratorike dhe vlefshmërisë së këtyre analizave, nuk ka burime të mjaftueshme për inspektimet, ka mungesë transparencë të theksuar lidhur me nivelin e pesticideve të frutave-perimeve. Konsumatori është vazhdimisht i ekspozuar ndaj riskut të këtyre pesticideve”, tha ajo.
Në fund, Vuksani ngriti shqetësimin edhe për etiketimin e produkteve ushqimore, veçanërisht atyre shtazore dhe të bulmetit.
“Në etiketë të vetmin informacion qe ti merr është jetëgjatësia e produktit, elementet që përmban lidhur me alergjitë dhe origjinën e produktit ku është prodhuar. Ne kemi problem shumë të madh me etiketimin e produkteve shtazore nuk i kanë ato. Institucionet duhet të rishikojnë legjislacionit për etiketimin e produkteve shtazore dhe produkteve të bulmetit që konsumatori të marrë informacionet e nevojshme”, tha Vuksani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




